BE-Turqi: Samit apo matje forcash në Varnan bullgare?
25 Mars 2018Pas së hënës gjërat do të përmirësohen…të paktën kjo mund të thuhet për parashikimin e motit në qytetin bullgar bregdetar, Varna. Sepse parashikimet për përmirësimin e klimës mes BE dhe Turqisë këtë të hënë janë më të zymta. Në ç'pikë ndodhen partnerët? Në fillim të vitit, presidenti francez, Emmanuel Macron i vlerësoi si „hipokrite" këto marrëdhënie, javën e kaluar, kancelarja Merkel e kritikoi shumë hapur ofensivën turke në rajonet kurde në Siri. „Është e çuditshme që disa nga aleatët tanë e shohin situatën me sytë e terroristëve", u kundërpërgjigj Ankaraja. Zemërimi gjen shprehje edhe në deklarata, si ajo e publikuar para samitit në Bruksel. „Këshilli i BE i dënon shkeljen e vazhdueshme të së drejtës nga ana e Turqisë në pjesën lindore të Mesdheut dhe në Egje." Po ashtu dënohet fakti që në burgjet turke qëndrojnë qytetarë të BE.
Më shumë se keqkuptime
Nevojë për bisedime ka. Në Bullgari vijnë si kreu i Këshillit të BE, Donald Tusk ashtu edhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker për të folur me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Turqia rrezikon lehtësimet në viza për qytetarët e saj në BE dhe këstin 3 miliardë euro nga marrëveshja e refugjatëve. Megjithëse marrëveshjen për refugjatët, kancelarja Merkel e mbrojti në Bundestag. Njëra nga arsyet pse BE por edhe Gjermania reagojnë kaq të përmbajtur ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Turqi. Një Turqi me shpatulla pas muri mund të hapë kufijtë me pasoja të paparashikueshme për BE.
Sevim Dagdelen, deputete e së Majtës në Bundestag thotë se „kjo është një legjendë, që po justifikon faktin që të mos ushtrohet presion ndaj Turqisë. BE e humb besueshmërinë, kur kërkon nga njëra respektimin e parimeve dhe ana tjetër nuk ndërmerr asgjë, veç deklaratave. „Samiti as nuk duhej të zhvillohej", sipas politikanes së majtë.
BE zvogëlon veten para Turqisë?
Me gjasë BE e zvogëlon veten në raport me Turqinë, më shumë se sa realiteti i marrëdhënieve të pushtetit mes dy palëve. „Nuk është e vërtetë që europianët i kanë duart të lidhura përballë Turqisë", thotë Asli Aydıntaşbaş, eksperte për Turqinë në European Council on Foreign Relations, Këshillin Europian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Ka shumë mënyra, se si BE mund të ushtrojë presion ndaj Turqisë. Sepse Turqia është e lidhur në masë të madhe me lidhje ekonomike me Europën. Sidomos me Gjermaninë."Kur qeveria turke përdor tone të ashpra kundër Berlinit, bien aksionet e kursi i bursës në Turqi", thotë Aydıntaşbaş.
Gjermania merr një të gjashtën e eksporteve turke, prej vitesh vendi importues më i madh për Turqinë. Kësaj i shtohen dërgesat financiare të diasporës turke. Sipas Bankës Federale rreth 800 milionë euro rrjedhin çdo vit nga Gjermania në Turqi. Por Gjermania, kritikon Aydıntaşbaş, nuk ka ditur se si të përdorë forcën e aftësinë vepruese që ka. Në marrëdhëniet bilaterale kjo përdoret, si në rastin e gazetarit të arrestuar, Deniz Yücel, por përtej kësaj me sa duket nuk ka më shumë interes.