Belgjika ka forcuar kontrollet për udhëtarët
4 Janar 2017Ikja pas atentatit në tregun e Krishtlindjeve e atentatorit të dyshuar të Berlinit, e tregon sipas ministrit të Brendshëm të Belgjikës të gjithë dilemën. Një person i dyshuar, pati, siç doli, mundësi që të kalojë disa kufij brenda Evropës. Nuk ka kuptim që të mbyllësh një derë duke e lënë hapur tjetrën, i tha Jamboni stacionit televiziv VRT.
Bashkimi Evropian vendosi vitin e kaluar ruajtjen në kompjutera të të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Ky rregull do të vlejë që prej majit 2018. Por qeveria belge synon që këtë rregull ta zgjerojë edhe në mjete të tjera të qarkullimit. Pak para Krishtlindjeve, Dhoma e Deputetëve aprovoi në Bruksel një ligj përkatës. Shoqëritë hekurudhore, të autobusëve dhe të trageteve do t'i marrin në të ardhmen paraprakisht të dhënat personale të klientëve të tyre, siç janë emrat, adresat, numrat e kartave të kreditit, numrin e vendit të uljes dhe itinerarin. Këto informacione të ndieshme pastaj do t'u përcillen organeve të sigurisë dhe do të verifikohen prej tyre.
Edhe më shumë të dhëna
Menjehëherë para nisjes së udhëtimit, të dhënat personale të pasagjerëve do të verifikohen sërish, bëjnë të ditur ARD dhe gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung". Nëse sipërmarrjet nuk do ta respektojnë detyrimin e tyre për regjistrim, ato rrezikojnë të marrin një gjobë prej 50.000 eurosh për çdo rast të lënë pa regjistruar.
Komisioni Evropian në parim nuk ka gjë kundër këtij plani të belgëve. Kushti i vetëm është që e drejta nacionale të jetë në përputhje me të drejtën e BE, tha një zëdhënës i Komisionit në Bruksel. Përfaqësues të shoqërive të hekurudhave, të autobusëve dhe të shoqërive të tragetit reaguan të zemëruara. Mbledhja e të dhënave dhe kontrollet kërkojnë kaq shumë punë, sa do t'i largojnë klientët dhe do t'i bëjnë ata të preferojnë udhëtimin me vetura, u tha në reagimet e para.
Ministri i Brendshëm i Belgjikës, Jambon reagoi i paimpresionuar. Ai aktualisht bën publicitet për projektin e tij te kolegët e Holandës, të Francës dhe të Gjermanisë dhe do ta bëjë këtë edhe në fund të janarit, në takimin me kolegët e BE. Ka rëndësi që të përfshihen sa më shumë vende, tha Jambon. AUD