1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentat në shtetin shembullor

Andreas Noll / exh25 Maj 2014

Ishte një atentat në një vend simbolik: në muzeun hebre në Bruksel u vranë të shtunën (24.05.) tre njerëz. Atentati pak para zgjedhjeve godet një shoqëri që konsiderohet tejet tolerante.

https://p.dw.com/p/1C6LV
Fotografi: Reuters

Për komunitetin hebre atentati erdhi si rrufe në qiell të kthjellët. Kërcënime kundër muzeut të hapur nëntë vjet më parë në zemër të Brukselit apo kundër komunitetit hebre nuk ka pasur aspak, konfirmoi Presidenti i Këshillit Qendror Izraelit të Belgjikës, Julien Klener. Megjithatë në Belgjikë spekulohet nëse atentati një ditë para zgjedhjeve evropiane, rajonale dhe parlamentare, mund të ketë një sfond antisemit. "Nuk mund të bëjmë një vlerësim përfundimtar, por një këmbim zjarri në një vend krimi jo të parëndësishëm, flet për një sfond antisemit", u shpreh ministrja e Brendshme e Belgjikës Joëlle Milquet duke mos treguar shumë përmbajtje.

Nëse ky dyshim do të konfirmohet nga faktet, do të ishte një goditje për një vend i cili në të kaluarën ka pasur pak probleme me antisemitizmin, në krahasim me të tjerë. Maurice Sosnowski, Presidenti i organizatës ombrellë të organizatave hebreje, shpreh me fjalë të qarta frikën e tij: "Tronditja është e madhe pasi jemi dëshmitarë të atentatit të parë antihebre në Bruksel që prej Luftës së Dytë Botërore."

Hebrenjtë në Belgjikë përfitojnë nga shoqëria e hapur

Bashkë me Anversën, Brukseli konsiderohet si qendra e jetës hebreje në Belgjikë. Plot gjysma e gjithsej 42.000 hebrenjvë në vend jetojnë në kryeqytet. Brukseli me 12 sinagogat e tij ka jo vetëm një traditë të gjatë hebreje, por me dyqanet e shumta që ofrojnë ushqime kosher, ka deri sot edhe një infrastrukturë përkatëse.

Hebrej ortodoksë në lagjen e diamantëve në Antverpë.
Hebrej ortodoksë në lagjen e diamantëve në Antverpë.Fotografi: Imago

Belgjika që në fillim është prezantuar tolerante: në 1832, menjëherë pas themelimit të tij, shteti belg njohu zyrtarisht besimtarët hebrenj si bashkësi fetare. Ngjashëm me Holandën, edhe belgët praktikonin tolerancë fetare, ndërkohë që në shtetet fqinje hebrenjtë përndiqeshin dhe dëboheshin.

Përpunimi i së kaluarës

Jeta e sigurt në Belgjikë vlente për hebrenjtë madje edhe në kohën e pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore: në Belgjikë mbijetuan më shumë hebrenj se në vendet e tjera të pushtuara, edhe sepse pjesë të mëdha të popullsisë kishin qendrim prohebre dhe shumë belgë merrnin përsipër rreziqe personale për të shpëtuar jetë njerëzish. Kështu më shumë se 30.000 nga 56.000 hebrenjtë e rregjistruar asokohe, arritën t'i shpëtonin Holokaustit.

Për viktimat e Shoasë shteti belg ka pranuar ndërkohë përgjegjësi. Autoritetet belge patën bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, kjo ka qenë e padenjë për një demokraci dhe ka pasur pasoja dramatike për popullsinë hebreje, thuhet në një rezolutë të miratuar në fillim të vitit 2013 nga Senati. Që një vit më parë qyteti i Brukselit kishte pranuar për herë të parë zyrtarisht rolin e tij në deportimin e qytetarëve hebrenj.

Antisemitizmi në rritje

Por ndërkohë që shoqatat hebreje përshëndesn përpunimin e së kaluarës, shumë belgë ankohen për rritje të antisemitizmit në shoqëri. Në një studim të porositur nga Agjencia e BE-së për vlerat themelore, vitin e kaluar 77 për qind e hebrejve të anketuar pranuan se antisemitizmi është një problem serioz në vend, një numër ky dukshëm më i lartë se mesatarja evropiane (65 për qind). Një shumicë dërrmuese prej 87 për qind konstatonin në anketim se antisemitizmi është shtuar në vend gjatë pesë viteve të kaluara. Vec kësaj thuajse dy të tretat e të anketuarve shprehën shqetësimin se muajt e ardhshëm mund të ishin viktima të fyerjeve dhe ngacmimeve.

Zjarr në një sinagogë në Bruksel në 2001 si pasojë e shkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme
Zjarr në një sinagogë në Bruksel në 2001 si pasojë e shkallëzimit të konfliktit në Lindjen e MesmeFotografi: AP

"Një atentat i tillë duhet të ndodhte për fat të keq pasi numri i parrullave antisemite rritet. Ky është rezultati i pashmangshëm i një klime urrejtjeje",e komentoi lajmin për atentatin, Presidenti i Ligës belge kundër Antisemitizmit (LBCA), Joël Rubinfeld.

Shqetësim nga radikalët islamistë

Ndryshe nga anketimi i Agjencisë së BE-së, një studim i hartuar në vitin 2011 nga Universiteti i Lirë Flamand në Bruksel, përpiqet të lokalizojë në shoqëri antisemitizmin në rritje. Në shkollat me gjuhë holandeze në kryeqytet të marra në vrojtim nga studimi, rreth 50 për qind e nxënësve myslimanë kishin mendësi antisemite. Për nxënësit e tjerë studimi jep një kuotë prej 10 për qind.

Autoritetet belge të sigurisë i shqetësojnë aktualisht para së gjithash xhihadistët belgë me prirje dhune, të cilët pas kthimit nga Siria mund të kryejnë atentate në atdheun e tyre. Sipas të dhënave zyrtare rreth 200 belgë luftojnë ose kanë luftuar në luftën civile në Siri, rreth 50 prej tyre duhet të jenë rikthyer në Belgjikë.

Në prag të zgjedhjeve tema e antisemitizmit nuk luajti asnjë rol, as tek populistët e djathtë. Partia e ekstremit të djathtë "Vlaams Belang", në të kaluarën me qendrim antisemit, prej disa vitesh ka hequr dorë nga notat antisemite. Përkundrazi: si mbrojtës së vetëshpallur të "kulturës së krishterë dhe hebraike" kundër "rrezikut arab", ata përqendrohen sot në një tjetër imazh të armikut.