Berlini e përjashton ekstradimin e Akhanliut
22 Gusht 2017Tri ditë pas arrestimit të përkohshëm të Dogan Akhanliut në Spanjë, në lagjen qeveritare në Berlin diskutohet gjithnjë e më shumë për mënyrën e veprimit të Interpolit. Pse e arrestuan shkrimtarin që jeton në Këln të premten (18.8.) me kërkesë të Turqisë, megjithëse akuzat kundër tij "gati bien erë përndjekje politike"? Kështu e formuloi zëdhënësi shumicën e herëve i përmbajtur i ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schäfer, të hënën në Berlin këtë rast.
Në kuadër të konferencës së zakonshme të shtypit të qeverisë, Schäferi tërhoqi vëmendjen në nenin 3 të kushtetutës së Interpolit, të cilën e ka adoptuar kjo organizatë me seli në Lion. Në bazë të këtij neni, kjo organizatë ndërkombëtare e policisë kriminale është e përkushtuar ndaj neutralitetit politik, në veprimtarinë e saj. Kjo vlen edhe për çështje, që kanë të bëjnë me aspekte ushtarake, fetare ose raciste. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme theksoi në lidhje me gjendjen e shtetit juridik në Turqi, se një ekstradimin atje të Akhanliut, "sado që të mundohet" e sheh të papërfytyrueshëm.
Schäfer: Edhe më tej jemi të paqartë
Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert shtoi që ekziston "besim i plotë" tek shteti juridik spanjoll. Shkrimtari i liruar nga arresti, tani pret në Spanjë veprimet e tjera të autoriteteve. Nga Spanja hë për hë ai nuk ka të drejtë të largohet. Se pse Spanja e ndoqi kërkesën turke për arrestimin e Akhanliut, mbi bazën e një "red notice" të Interpolit, kësaj pyetjeje nuk i jep dot askush në qeverinë gjermane.
Një "red notice" nuk është urdhër ndërkombëtar arresti. Bëhet fjalë për një thirrje për kërkim për një person të caktuar, me synimin për të arrestuar atë përkohësisht dhe për ta ekstraduar atë.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme tërhoqi vëmendjen për akuzat e bëra nga pala turke: grabitje me dhunë dhe vrasje me paramendim. Akuza të cilat kanë dekada që janë bërë, dhe për të cilat Akhanli u shpall i pafajshëm në vitin 2010 nga një gjykatë turke. Megjithatë, atij i bëhen të njëjta akuza në Turqi prej vitit 2013.
"Është fjala për një gjerman"
Kancelarja gjermane Angela Merkel e akuzoi që të dielën Turqinë se po e keqpërdoron Interpolin. Të hënën, zëdhënësi i qeverisë, Stefen Seibert tha se ekziston dyshimi që Interpoli synohet të përdoret nga krerët e shtetit turk "për të mbërthyer kritikët e politikës me kërkesa të tilla për ndjekje. Veçanërisht i revoltuar u tregua Seibert, se "red notice" kundër 60 vjeçarit Akhanli drejtohet kundër një nënshtetasi të huaj. "Bëhet fjalë për një gjerman!" tha ai. Në thelb, është në dorën e çdo shteti të veçantë, si vepron me kërkesa të tilla për ndjekje e kërkim. Një detyrim për ndërmarrë veprime nuk ekziston. 190 shtetet anëtare të Interpolit janë dakord që me "red notice" ose forma të tjera të mbështetjes reciproke të kenë në dorë instrumenta të efektshme. Kjo vlen për luftimin e krimeve të të gjitha llojeve, duke përfshirë terrorizmin.