Berlini kërkon t'i jepet fund dhunës në Egjipt
16 Gusht 2013Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle thotë se për gjendjen dhe zhvillimet në Egjipt mungon një informacion i plotë për të nxjerrë përfundime politike, por thekson se është mjaft i shqetësuar për lajmet nga Kajroja, prej ku ka të dhëna të ndryshme për numrin e të vrarëve. Paradite u tha se numri i të vrarëve është 300, në drekë Ministria egjiptiane e Shëndetësisë tha se ky numër është 400 dhe pasdite 500. Nisur nga këto lajme Guido Westerwelle u bën thirrje të gjitha forcave politike që t'u kthehen menjëherë dialogut dhe negociatave. Ministri i Jashtëm gjerman u shpreh edhe për thirrjen e një takimi krize të ministrave të Jashtëm evropianë për të bashkërenduar qëndrimin e më tejshëm.
Pezullim i përkohshëm i bashkëpunimit
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, Ruprecht Polenz (CDU) qe më specifik. Ai propozon një pezullim të përkohshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe financiar me Egjiptin. Në një intervistë për gazetën e Berlinit "Tagesspiegel" Polenz tha se nisur nga dhuna e qeverisë kalimtare kundër përkrahësve të Vëllazërisë Myslimane, shtrohet çështja nëse ka fusha të bashkëpunimit me Kajron, të cilat mund të pezullohen përkohësisht, "për të dhënë një sinjal."
Zëdhënësi për politikën e jashtme i partisë opozitare E Majta, Jan van Aken, mendon se qeveria gjermane për momentin nuk ka mundësi të bëjë diçka aktive në lidhje me zhvillimet në Egjipt.
Ndikimi mbi turizmin dhe biznesin
Ndërkohë, Ministria e Jashtme gjermane po i paralajmëron turistët gjermanë që duan të shkojnë në Egjipt dhe u rekomandon të kenë kujdes të veçantë për shkak të demonstratave të mëdha. Ministria e Jashtme gjermane beson se gjendja e sigurisë do të vazhdojë të përkeqësohet, veçanërisht në Kajro. Në përgjithësi turistëve u rekomandohet që më mirë të mos shkojnë fare në Egjipt.
Dhoma gjermano-arabe e Industrisë dhe e Tregtisë që ka mbyllur ndërkohë zyrat e saj në Kajro dhe Aleksandri. Shefi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Jashtme Gjermane (DIHK), Volker Treier, tha për agjencinë Reuters: "Situata është shumë shqetësuese dhe jeta e përditshme, logjistika, nuk funksionojnë në një situatë të tillë." Për dpa-në Treier tha, se megjithatë ndërmarrjet gjerman nuk kanë ndërmend të tërhiqet nga Egjipti.