1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini zyrtar i reziston presionit nga Parisi

17 Shkurt 2021

Gjermania nuk do të dërgojë më shumë ushtarë në Mali. Për të stabilizuar zonën e Saharës, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas synon të forcojë forcat civile në shoqëri.

https://p.dw.com/p/3pTx7
Deutschland Pressekonferenz Maas zu Bekämpfung des Terrors in der Sahelzone
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Megjithë gjendjen e tensionuar në zonën në jug të Saharasë, Sahel, Gjermania për momentin e përjashton mundësinë e dërgimit të një kontigjenti shtesë të ushtarëve gjermanë aty. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas iu referua faktit që 1550 ushtarë gjermanë në kuadër të misioneve të BE-së dhe Kombeve të Bashkuara ndodhen ndërkohë në vendin afrikanojugor, Mali. Në një videokonferencë për zonën e Sahelit, Maas tha, se pjesëmarrja në misionin e trajnimit të BE, EUTM Mali dhe misionin e OKB, MINUSMA është aktualisht një "përpjekje shumë e madhe".

Sipas politikanit socialdemokrat, shtetet në jug të Saharës po zhvillohen "në vatra të terrorizmit ndërkombëtar". Por Maas, tha, se nuk shikon "të dhëna për një rrezikim konkret të Europës apo Gjermanisë." Gjermania do të forcojë angazhimin e saj në forcimin civil të rajonit. Së bashku me Kombet e Bashkuara, Gjermania kërkon të ngrihen struktura të sigurisë, të drejtësisë, ashtu si edhe të ketë furnizim me ujë dhe rrymë elektrike. "Aty ku njerëzit ndjehen të braktisur, terroristët, lordët e luftës dhe bandat kriminale e kanë të lehtë, ka thënë Maas.

Afrika Tschad Soldaten Frankreich Panzer
Fotografi: RENAUD MASBEYE BOYBEYE/AFP/Getty Images

Presidenti francez, Emmanuel Macron në kuadër të konferencës bëri të ditur, se Franca nuk do të shtojë fillimisht prezencën ushtarake në këtë rajon dhe se do të presë partnerët ndërkombëtarë. Por misioni ushtarak kundër terrorit islamist vazhdon edhe më tej, tha Macron. Franca do të bëjë gjithçka që "t'ua presë kokën" grupimeve të rrezikshme xhihadiste, tha ai. Në misionin e saj në Mali, Franca ka humbur deri tani 57 ushtarë, ndërkohë që kostoja e misionit kap miliarda. Në zonën e Sahelit ka një sërë grupesh islamiste aktive që rregullisht në jug të Saharës kryejnë sulme terroriste.

 

 

la/jj/uh (dpa, afp, rtr, kna)