Bisedime të reja Prishtinë-Beograd apo punë bindëse ndaj Rusisë?
18 Qershor 2007Në konkluzionet paraprake ende jozyrtare të ministrave të jashtëm të BE-së që janë mbledhur qysh të dielën në mbrëmje në takimin e tyre të radhës në Luksemburg thuhet se mbështetet i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, ndërsa plani i tij cilësohet si një bazë e mirë për rezolutën e re të Kosovës. Në dokument thuhet gjithashtu se mbështeten përpjekjet e intensifikuara për miratimin në kohën e duhur të një rezolute në Këshillit të Sigurimit.
Për Bashkimin Evropian rezoluta ka një rëndësi të madhe jo vetëm për të përligjur misionin e ardhshëm të BE-së që do të zëvendësojë UNMIK-un. Ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, i tha Dojçe Veles mbas takimit se rezoluta është e rëndësishme edhe për të njësuar qendrimet në BE: „Ne kemi nevojë për një kornizë të re ligjore për të përparuar në Kosovë. Ne besojmë, se nëse ka nevojë për më shumë kohë, atëherë ne duhet ta vëmë atë në dispozicion. Por ne na duhet një rezolutë e Këshillit të Sigurimit edhe për të unifikuar pozicionin evropian.“
Siç bëhet e ditur nga qarqet diplomatike në radhët e BE-së nuk ka ende qartësi, se si do të shfrytëzohet koha deri në miratimin e rezolutës. A do të duhet të bëhen bisedime të drejtpërdrejta, siç propozojnë disa prej vendeve, apo duhet që të vazhdojnë negociatat në Këshillin e Sigurimit për të bindur Rusinë që të mos e pengojë miratimin e një rezolute mbi bazën e plani të Ahtisaarit?
Në fakt debati për Kosovën gjatë pasdites do të ishte më i gjatë, në se ai nuk do të ndërpritej nga kryesia gjermane e radhës për shkaqe kohore. Sipas ministrit slloven të punëve të jashtme, Dimitrij Rupel, ministrat do ta vazhdojnë debatin për Kosovën të enjten, në një takim paralel me atë të krerëve të 27 vendeve antare të BE-së në Bruksel. Tema e samitit të fundit të kryesisë gjermane të radhës megjithatë do të jetë kushtetuta evropiane, e cila aktualisht po bllokohet fuqimisht nga Polonia.
Ministrat gjithashtu kanë përshëndetur rifillimin e bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim-asociimit me Serbinë. Zëvendëskryeministri i serbisë, Bozhidar Gjeliç, kishte ardhur të hënën në Bruksel për të zhvilluar takime bilaterale me disa ministra të BE-së. Serbia shpreson që në kryesinë e radhës së Francës, të marrë statusin e kandidatit të BE-së. Mbas takimit me ministrin e jashëtm të Sllovenisë Dimitrij Rupel ishin vënë në dukje edhe divergjencat mes dy vendeve për çështjen e Kosovës, tha Gjeliç.
Në konkluzionet për Ballkanin nënvizohet gjithashtu edhe njëherë perspektiva everopiane e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe përshëndeteten marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave. Të martën në Luksemburg pritet të vijë ministri i jashëtm i Shqipërisë, Lulzim Basha, për të përfaqësuar Shqipërinë në takimin e radhës me troikës evropiane. Qeveria gjermane në këtë takim do të përfaqësohet nga ministri i shtetit Gynter Gloser.