Bisedimet Prishtinë-Beograd - Serbët e Kosovës duan të jenë pjesëmarrës
27 Dhjetor 2010Ministri serb për Punë dhe Mirëqenie Sociale në qeverinë e deritashme të Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duhet të marrin pjesë në bisedimet Prishtinë-Beograd, edhe pse ai është i vëtedijshëm që këtë nuk mund ta imponojë. Rashiq: “Meqënëse negociatat teknike Kosovë-Serbi do të nisin rishtazi, unë jam i mendimit se secili prej nesh duhet të marrë një përgjegjësi dhe bazuar në këtë përgjegjësi ne mund të marrin pjesë në to, natyrisht nëse jemi të ftuar."
Rashiq kujton bisedimet e mëhershme Kosovë-Serbi, ku përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk kanë qenë shumë të informuar se çfarë po ndodh në këto bisedime. Ai ka shpresë se fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi do të shkojë në rrugën e duhur dhe që do të sjellë përfundimisht pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Qeveria e Serbisë kundërshton pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në këto bisedime
Por qeveria e Serbisë nuk e sheh të nevojshme përfshirjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, sepse sipas saj ky dialog është inicuar nga Bashkimi Evropian. Për Deutsche Welle-n, sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq thotë: “Jo. Dialogu ndodh për shkak se janë krijuar kushtet për këtë dhe ekzistojnë nevoja urgjente, ndërsa edhe pala e tretë, Bashkimi Evropian është shumë e interesuar për relaksimin e situatës politike në Ballkan.” Oliver Ivanoviq thotë se serbët e Kosovës nuk janë aktorë në këtë mes. Përvoja jonë është se serbët e Kosovës nuk janë konsideruar si faktor politik në Kosovë, as nga shqiptarët e Kosovës e as nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndërkohë zëvëndëskryeministri i qeverisë së Kosovës në largim Hajredin Kuçi, këmbëngul se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do ta kenë rolin e tyre ne bisedat Kosovë-Serbi, madje ata do të jenë edhe pjesë e delegacionit. “Ata do ta luajnë rolin e tyre sipas temave që do të diskutohen dhe në këtë drejtim do të jenë pjesë e barabartë e delegacionit të Kosovës. Nuk do të jenë në kuptimin e përqindjes si komunitete por në kuptimin e temave që do të diskutohen. Si shembull, nëse bisedohet për kthimin aty do të jetë ministri i Kthimit, apo personat përgjegjës.”
Shtyrje e bisedimeve?
Fillimi i bisedimeve Kosovë-Serbi mund të shtyhet edhe për një kohë deri në konsolidimin e institucioneve të reja të Kosovës, thonë analistët e pavarur. Në këtë linjë një ndër faktorët tjerë që mund të zgjas fillimin e bisedimeve është edhe raporti i fundit i hetuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe poashtu zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, të cilat pritet të mbahen nga fundi i vitit të ardhshëm. Presidenti i Serbisë Boris Tadic për mediat serbe ka thënë se dialogu nuk duhet të shtyhet, pavarësisht përmbajtjes së raportit të Dik Martit. Ai tha se zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe shumë probleme tjera që i shqetësojnë serbët dhe shqiptarët, duhet të jenë temat fillestare në dialogun teknik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Lindita Arapi