Bisedimet Prishtinë-Beograd shtyrje e panevojshme
7 Gusht 2007Udhëheqësit politikë kosovarë, rifillimin e negociatave Prishtinë-Beograd për çëshjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, nuk e konsiderojnë si një fillim të një procesi, por si përfundimin e procesit për avarësimin e Kosovës. Ata thonë thonë se aktivizimi i Grupit të Kontaktit për Kosovën, është një përpjekje e bashkësisë ndërkombëtare për dalje nga kriza e krijuar në Këshillin e Sigurimit. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, thotë se, ky zhvillim i ri për Kosovën nuk është mirëpritur por, është pranuar nga pala kosovare pasi ka mbetur mundësia e vetme për një zgjidhje.
Treshja e grupit të kontaktit që do të ndërmjetësojnë bisedimet Prishtinë-Beograd, nuk duhet të vendosë ndonjë axhendë por duhet të lehtësojë procesin e bisedave, thotë kryeministri Agim Çeku. Sipas tij platforma e palës kosovare në këto biseda është e qartë, pavarësia e Kosovës nuk do të negociohet, integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm ashtu si nuk pranohet asnjë ridiskutim i pakos së Marti Ahtisarit.
Sidoqoftë, vetëm pak ditë para se në Prishtinë të arrijnë tre ndërmjetësusit e grupit të kontaktit, për bisedimet Prishtinë Beograd, Frank Uizner, Volfgang Ishinger dhe Aleksander Harchenko, pala kosovare është e bindur se bisedimet 120 ditëshe do të jenë shtyrja e fundit e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pala kosovare e ka mirëpritur caktimin e datës 10 dhjetor si afat për dorëzimin e rekomandimeve tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ndërsa, shprehet se gjatë periudhës së ardhshme katër mujore do të rikonfirmohet edhe njëherë para botës vullneti i dy milion qytetarëve të Kosovës për shtet sovran e të pavarur.