Biznesi me refugjatët në Bullgari
16 Nëntor 2015Të paktën 250 bullgarë janë të përfshirë aktualisht në trafikun ilegal të refugjatëve dhe emigrantëve nga Turqia drejt Bullgarisë me destinacion Serbinë për të vazdudar dretj Europë veriore, kështu i përgjigjet Ministria e Brendshme pyetjes së DW-s. Çdo ditë kontrabandohen 500 refugjatë dhe emigrantë, citon Wall Street Journal (WSJ) autoritetet bullgare. Trajektorja nga Stambolli deri në kufirin veriperëndimor bullgaro-serb kalon përmes qyteteve të Plovdivit dhe Sofjes. Për „shërbimin“ trafikantët kërkojnë 3000 dollarë amerikanë për kokë. Në një intervistë për DW-në, ish-shefi i policisë kufitare bullgare, gjenerali në pension Valeri Grigorov, shprehet se ky korridor kontrabande nuk është i ri dhe se ai prej disa dhjetra vjetësh kontrollohet nga kriminaliteti i organizuar: „Bosët e trafikantëve kanë lidhje të mira jo vetëm me përfaqësues të autoriteteve kufitare lokale, por edhe në nivelet më të larta të qeverisë në Sofje“, kështu Grigorov. Edhe koloneli Gerald Tatzgern i autoriteteve austriake të sigurisë flet për korridorret e vjetra të trafikimit në Bullgari, mbi të cilat, deri para pak vitesh, sundonin trafikantët e prostitucionit: „Ne besojmë se njerëzit në veriperëndim të Bullgarisë kanë filluar të merren me biznesin e ri – me trafikimin e emigrantëve“, tha Tatzgern në WSJ.
Edhe njëri nga të arrestuarit në rastin e kamionit, në të cilin në Austri u gjendën të vdekur 71 refugjatë, është nga veriperëndimi i Bullgarisë. Në një intervistë, e ëma e tij thotë: „Shumë njerëz të zonës bëjnë pazare të mira me refugjatët. Dhe kjo nuk të habit, bullgarët janë të varfër.“ Valeri Grigorov e mbështet konstatitim empirik të nënës nga përvoja e tij shumëvjeçare me korridorin e kontrabandës në veriperëndim të Bullgarisë: „Fitimet nga kontrabanda përbëjnë të ardhurat kryesore në zonat kufitare të varfëra dhe të shpopulluara. Të gjithë marrin pjesë: si popullsia lokale ashtu edhe përfaqësuesit e autoriteteve kufitare.“ Madje, sipas Grigorov, shumë kryebashkiakë të zonës u kanë bërë me dije shprehimisht gjuetarëve lokalë, se ka „shumë refugjatë mes shkurreve“, pra gjatë gjuetisë duhet bërë kujdes. Sepse trafikantët i shkarkojnë njerëzit në afërsi të kufirit dhe më pas thjesht u tregojnë rrugën e mëtejshme drejt Serbisë. Krassimir Kanev, drejtor i Komitetit të Helsinkit në Bullgari, konstaton: „Po, kështu funksionon. Këtu bëhet shumë kontrabandë. Dhe shumë trafikantë janë të afërm, komshi ose miq të nëpunësve të kufirit. Kjo është një çështje e organizuar dhe pjesë e saj janë edhe mbrojtësit e kufirit.“
Hulumtimet e sakta të WSJ dëshmojnë se në këtë biznes veprojnë shumë aktorë – që nga bandat ndërkombëtare me organizimin e tyre të përkryer e deri tek kontrabandisti i thjeshtë, i cili është i pajisur vetëm me një kamion dhe një telefon celular. Këtë e vërteton edhe zëvendësministri i Brendshëm bullgar, Filip Gunev, në një intervistë për DW-në: „Shërbimet ilegale, në të gjitha segmentet e zinxhirit të trafikut në Bullgari, ofrohen nga kriminelë të niveleve të ndryshme. Por ai, që kontrollon paranë, kontrollon edhe gjithë biznesin.“
Por fajin për këtë biznes e mbajnë ata që nuk e kanë rregulluar emigracionin legal dhe zgjidhjen e gjejnë vetëm tek gardhet dhe mbikqyrja e kufnjve, thotë në intervistë për DW aktivisti gjerman i të drejtave të njeriut, Mathias Fiedler, pjesëmarrës në projektin Bordermonitoring (Monitorimi i Kufijve) në Bullgari. Fiedler sjell gjithashtu në kujtesë se ata që dikur, në kohën e Luftës së Ftohtë, po përmes kontrabandës i ndihmonin qytetarët e RDGJ-së (Republikës Demokratike të Gjermanisë) të arratiseshin, sot mbahen si heroj, ndërkohë që ata që sjellin refugjatët e luftës civile në Siri drejt Evropës, stigmatizohen si „trafikantë njerëzish“.
Kontrolli i kufirit dhe gardhet janë sidoqoftë shumë të pëlqyera në Bullgari. Shumica e bullgarëve nuk duan në asnjë mënyrë, që refugjatët dhe emigrantët të lejohen qoftë edhe të shkelin në vendin e tyre. Deutschlandfunk (Radio Kombëtare Gjermane) citon në një hulumtim të tsaj fjalët e një demonstruesi ksenofob: „Bullgaria po sulmohet. Është sulmi i një hordhie ilegale, e cila e kapërcen kufirin tonë pa asnjë pengesë. Qëllimi i saj është zëvendësimi i popullsisë evropiane – me banorë islamikë“. Në raste të tilla, raporton gazetari Tom Schimmeck, shpesh bëhet fjalë për rënien e Perëndimit dhe pushtimin nga talibanët. Dhe po sipas tij, Kisha Ortodokse i ka bërë thirrje qeverisë, që të ndalojë “pushtimin” mysliman.
Shumë refugjatë, të cilët kanë zgjedhur rrugën e vështirë përmes Bullgarisë, raportojnë për qëndrime armiqsore dhe keqtrajtime. Në një reportazh të ARD-së, Khamran Han nga Afganistani tregon: „Ka pasur situata shumë të rrezikshme, sidomos në Bullgari. Ne kemi ecur në këmbë për pesë ditë e pesë netë me radhë përmes Bullgarisë, sidomos natën, nëpër pyje, nga frika se mos na arrestonin. Grupi në fillim ishte më i madh. Shumë prej nesh i kemi humbur në Bullgari, ata kanë ngatërruar rrugën nga errësira. Se ku janë, nëse jetojnë ende, këtë nuk e dimë.“ Në gazetën e përditshme Die Welt, gjyqtari gjerman Malte Sievers citon një sirian, i cili gjatë procesit të azilit duhet të ketë thënë: „Më mirë të jem një qen në Gjermani, sesa njeri në Bullgari.“