Borrell: Të shmanget përshkallëzimi
11 Dhjetor 2022Autoritetet ndërkombëtare dhe ato vendore dënuan fuqishëm sulmet e grupeve të armatosura mbi Policinë e Kosovës përfshirë edhe atë të misionit EULEX në veri të vendit. Serbët po mbajnë të barrikaduara disa rrugë në veri të Kosovës. Ndërsa autoritetet u detyruan të mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë - Jarinje dhe Bërnjak. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, konfirmoi se një shok bombë u hodh ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it të shtunën në mbrëmje, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
"Ky sulm, si dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë edhe sulmet kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it. Misioni EULEX, thuhet më tej, se do ta vazhdojë punën për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe për sigurinë e qytetarëve.
Autorët e sulmeve të nxirren para drejtësisë
"Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t'i sjellin përpara drejtësisë”, thanë nga EULEX-i.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kërkoi që barrikadat e vendosura nga grupet e serbëve të Kosovës në veri të largohen menjëherë.
"BE-ja nuk do të tolerojë sulme ndaj EULEX-it, ose përdorimin e veprimeve të dhunshme, kriminale në veri. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet në Kosovë dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet t'i shmangen përshkallëzimit”, shkroi Borrell.
Sulmi mbi njësinë e misionit EULEX, u dënua edhe nga NATO-ja. Zëdhënësja e Aleancës, Oana Lungesku tha se "sulmet e tilla janë të papranueshmë dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”.
"KFOR-i mbetet jashtëzakonisht syçelë dhe plotësisht i gatshëm të përmbushë mandatin e dhënë nga OKB-ja, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin veprimet provokuese dhe retorikën dhe të ndihmojnë mbajtjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë”, shkroi Lungesku në Twitter.
Policia njofton për sulme me armë
Edhe Policia e Kosovës njoftoi se grupe të armatosura sulmuan me armë zjarri policinë e Kosovës derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit në veri. "Policia në vetmbrojtje u kundërpërgjigj dhe grupet u larguan në drejtim të panjohur”, njoftoi policia.
Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, në një njoftim për media kërkoi nga qytetarët në veri të lejohet lëvizja e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë se "prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”. Por është kërkuar që të pengohet lëvizja e forcave të Kosovës.
Në Prishtinë të dielën u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vlerësuar situatën e sigurisë në veri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje forcave paqeruajtëse të KFOR-it që të garantojë lirinë e lëvizjes.
Kurti: Ftojmë KFOR-in të garantojë sigurinë e lëvizjes
"Bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes nga bandat kriminale që qëllojnë mbi policinë tonë e mbi policinë e EULEX-it, jo vetëm që është e papranueshme, por duhet të jetë edhe i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim”, tha kryeministri Kurti. Sipas tij, autoritetet në Kosovë po punojnë që të mundësohet vendosja e paqes, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës.
"Tash nuk është në tryezë as çështja e targave ilegale, nuk është në tryezë as çështja e zgjedhjeve për kryebashkiakë në katër komunat veri të Kosovës, andaj duke qenë se kanë ngelur pa pretekste janë të gatshëm që të shpikin gjithçka vetëm e vetëm që të zbatojnë planin e tyre për barrikadim të veriut”, tha kryeministri Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Beogradi fajëson Prishtinën
Nga ana tjetër, për situatën në veriun e Kosovës, autoritetet e Beogradit po akuzojnë Prishtinën zyrtare dhe kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq shkroi të dielën në profilin e tij se "nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë, i cili edhe një herë është i detyruar të mbrojë vatrat e tyre me barrikada”. Presidenti i Serbisë bëri thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "si mënyre e vetme për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve”. Vuҫiq tha po ashtu se “do të kërkojë nga NATO-ja kthimin e një numri të personelit ushtarak dhe policor serbë në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ndonëse pranoi që "nuk beson se kjo kërkesë mund të plotësohet nga KFOR-i”.
Kryeministri i Kosovës tha se "ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres. Por agresionit do t'i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
"Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe SHBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”, tha Kurti.
Në veri të Kosovës serbët lokal ngritën barrikada në rrugë, pas arrestimit të një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se me 6 dhjetor "ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.