Bosnjë:Dodik nxjerr në rrugë dhjetëramijëra përkrahës të tij
26 Tetor 2022„Unë jam këtu, për t`ju thënë, se Milorad Dodik nuk shkon askund. Milorad Dodik do të jetë shumë shpejt në pallatin presidencial", tha Dodik në Banja Luka, kryeqytetin de-facto të Republikës Srpska. Opozita akuzon këtë përfaqësues të linjës së fortë nacionaliste serbe dhe të besuar të Putinit për manipulim të zgjedhjeve.
Në Bosnjë në fillim të tetorit u zhvilluan zgjedhjet e organeve drejtuese në rang federal si dhe në të dy pjesët e vendit, në Federatën Boshnjako-Kroate (FBiH) dhe në Republikën Srpska (RS). Shumë i diskutueshëm ishte posti i presidentit të RS. Nacionalisti Milorad Dodik, i cili është prej kohësh në pushtet, fitoi me një avantazh shumë të vogël ndaj politikanes opozitare të PDP, Jelena Triviç. Sipas rezultatit parapak Dodik arriti të merrte 48 përqind të votave, Trivic 43 përqind.
"Qindra parregullsi”
Pak pas zgjedhjeve presidenciale të 2 tetorit partitë opozitare paraqitën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (CIK) në Sarajevë kërkesën për rinumërimin e votave. "Ne kemi konstatuar qindra parregullsi”, deklaroi kryetari i partisë konservatore PDP, Branislav Borenoviç.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor Dodik kishte fituar 29 000 vota më shumë se Triviç. Gjithsej në votimet në RS morën pjesë 617 000 qytetarë. Sipas Borenovic 65 000 vota mund të jenë prekur nga mashtrimi dhe manipulimi. Kështu në shumë lokale zgjedhore përfaqësuesit e opozitës janë dëbuar nga huliganë para përfundimit të numërimit. Në shumë lokale zgjedhore në listat përfundimtare rezultonte se kandidatë të panjohur kishin marrë shumë vota, ndërsa Triviç asnjë. Dodik i ka kundërshtuar kërkesat për numërim të ri të votave duke e quajtur fitoren e tij „të rregullt".
Votat rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëroi më 10 tetor rinumërimin e votimit. Kryetari i Komisionit Suad Arnautoviç tha, se ka patur "një numër të madh shkeljesh të ligjit zgjedhor”. Ai foli për dëshmi në video dhe dokumente të cilat dëshmojnë qartë se procesi nuk ka qenë i pastër dhe se rezultatet nuk mund të konfirmohen.” Përveç kësaj Komisioni Zgjedhor ka qenë nën një presion të paparë ndonjëherë”, tha ai. Rezultatet e numërimit të ri priten në fund të javës.
Dodik synon mandatin e tretë si president i Republikës serbe të Bosnjë-Hercegovinës. 63 vjeçari është prej më shumë se 15 vjetësh udhëheqësi i serbëve të Bosnjës. Ai synon ndarjen e RS nga Bosnja dhe rrezikon kështu paqen dhe stabilitetin e këtij vendi ballkanik, i cili nga viti 1992 deri 1995 ishte fushëbetejë e një lufte të përgjakshme me rreth 100 000 të vdekur. Dodik gëzon mbështetjen e Serbisë, të vendit anëtar të BE-së Hungarisë dhe të Rusisë.