Bosnja dhe Hercegovina: fundi i parimit etnik?
20 Korrik 2022Kërcënimet janë të qarta: Milorad Dodik, përfaqësuesi serb në presidiumin shtetëror të Bosnjës, punon i palëkundur për ndarjen e Republikës Srpska nga bashkësia shtetërore e Bosnjë dhe Hercegovinës. Prona shtetërore po transferohet tashmë me zell në nivelin e entitetit të dominuar nga serbët në vend. "Shekulli i kaluar” deklaroi së fundmi Dodik, "ka qenë shekulli i vuajtjeve të popullit serb, pas këtij shekulli vjen tani "bashkimi" me popullin vëlla në Serbi”.
"Srpski svet", "bota serbe" - një eufemizëm për ideologjinë shkatërruese me të cilën ish- kreu i shtetit serb, Slobodan Millosheviç, kreu krime kundër jo-serbëve në vitet 1990. Eksceset e dhunës kulmuan në fund me gjenocidin e Srebrenicës, nga i cili këto ditë u mbushën 27 vjet. Më shumë se 8300 të rinj myslimanë u vranë në korrik 1995.
Sulmet aktuale kundër shtetit boshnjak kanë edhe një anë tjetër. Dragan Çoviç, kreu i Bashkësisë Demokratike Kroate të Bosnje dhe Herzegovinës (HDZ BiH), partia e kroatëve të Bosnjës, bën thirrje për një "riorganizim territorial" të vendit. Që nga fundi i luftës Bosnje Hercegovina përbëhet nga Federata e Boshnjakëve dhe Kroatëve, si dhe Republika Srpska dhe Distrikti Brcko. Sipas HDZ BiH kroatët janë të nënpërfaqësuar në federatë. Qëllimi i tyre strategjik është krijimi i një entiteti të tretë, të dominuar nga kroatët - një ndarje tjetër etnike, që do ta bënte përgjithmonë të pafunksionueshëm këtë vend multietnik.
Prej kohësh HDZ BiH dhe partia e djathtë nacionaliste e socialdemokratëve të pavarur (SNSD) të Dodik-ut bashkëpunojnë në mënyrë gjithnjë e më radikale për të promovuar copëtimin e Bosnjës. Madje edhe në mohimin e gjenocidit të Srebrenicës ekstremistët kroatë dhe serbë bashkëpunojnë ngushtë.
Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm
Agjendat nacionaliste ushqehen nga jashtë nga Serbia dhe Kroacia. Konstelacioni të kujton vitet 1990, kur të dyja vendet ndërmorën veprime ushtarake për të ndarë Bosnjën.
Zagrebi zyrtar, për shembull, ndjek de fakto politikat e ish-presidentit kroat Franjo Tudjman, kritikon regjisori sarajevas Dino Mustafiç, bashkëthemeluesin e partisë qytetare multietnike Nasa Stranka (NS). Gjatë luftës së Bosnjes Tudjman nxiti krijimin e shtetit të dominuar nga kroatët, Herceg-Bosna. Pati shumë krime lufte, si spastrime etnike; shumë nga përgjegjësit janë dënuar nga tribunali për Jugosllavinë në Hagë. Megjithatë "oreksi” i nacionalisëve në Zagreb dhe Beograd për territorin boshnjak, është akoma ekzistent, paralajmëron Mustafic.
Brukseli bie pre e narrativave ekstremiste
Ndërhyrjet në çështjet e brendshme të Bosnjës luhen edhe përmes Brukselit: Kroacia, anëtare e BE, përdor institucionet e BE për të kundërshtuar reformat demokratike në Bosnje dhe për të kërkuar të drejta të veçanta për grupin etnik kroat.
Mbi të gjitha Kroacia mund të mbështetet te komisioneri i zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi. Ai është një i besuar i ngushtë i kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili nga ana e tij mbështet hapur secesionistin Milorad Dodik, jo vetëm politikisht, por edhe me injeksione financiare për Republikën Srpska. Muajt e fundit edhe negociatorë të tjerë të BE kanë sinjalizuar në mënyrë të përsëritur në negociata jotransparente se do të mbështesin HDZ BiH dhe do të kryejnë një thellim të mëtejshëm të strukturave zgjedhore të etnizuara.
Fundi i etnonacionalizmit
Përballë tensioneve në rritje forcat reformatore në rajon kërkojnë prej kohësh t'i jepet fund ndikimit destabilizues të vendeve fqinje. Ish-ministrja e Jashtme kroate, Vesna Pusiç, afron aktualisht propozimin më kompleks: Në një dokument-koncept, që prezantoi në konferencën "Quo vadis, Ballkan" në Zagreb në fund të majit, ajo rekomandon një version të ri të "modelit baltik".
Në bazë të tij Danimarka, Suedia dhe Finlanda si dhe Portugalia, Holanda dhe Irlanda duhet të hyjnë në partneritete dypalëshe me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të shoqëruar reformat demokratike. Sfondi: Në vitet 1990 shtetet e Evropës veriore shoqëruan rrugën e integrimit në BE të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë. Ky model tani mund të zbatohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, tha Pusiç.
Shtet i qytetarëve
Sipas shumë vëzhguesve vendet e rajonit nuk janë partnerë neutralë, pasi ekziston rreziku që ato të ndjekin agjendat e tyre, veçanërisht në Bosnje. Prandaj Pusiç inkurajon vendet nordike që të bashkëpunojnë me Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje, përfaqësuesin e komunitetit ndërkombëtar në vend, i cili që nga fundi i luftës ka pasur kompetenca të gjera ekzekutive. Në këtë mënyrë institucionet boshnjake mund të çlirohen nga etnonacionalizmi dhe të përgatiten për anëtarësimin në BE. Bosnja duhet të ecë drejt një shteti qytetar, kërkon ekspertja e politikës së jashtme. "Demokracitë moderne nuk njohin model tjetër”.
Pikërisht Kroacia dëshiron të parandalojë këtë model qytetar për Bosnjën, siç theksojnë shpesh publikisht anëtarët e qeverisë kroate. Në Bruksel deklarata të tilla duket se injorohen. Mbi të gjitha komisioneri i BE Varhelyi mbështet tre etno-kartelet me raunde të reja negociatash. Përveç SNSD (serbe) dhe HDZ BiH (kroate), edhe Partia për Veprim Demokratik (SDA) e grupit etnik boshnjak është një prej tyre. Para pak ditësh Varhelyi ftoi sërish përfaqësuesit e të tri partive në Bruksel.
Ndihmë elektorale për etnokartelet e korruptuara?
Aktivisti dhe analisti boshnjak Samir Behariç e konsideron të rrezikshme që Komisioni i BE-së po u ofron një platformë të tillë tre blloqeve të pushtetit të përfshirë në skandale të shumta korrupsioni përpara zgjedhjeve në Bosnje, të cilat do të mbahen në tetor. Meqenëse Varhelyi është një i besuar i ngushtë i Orbanit dhe kryeministri hungarez njihet për afërsinë e tij me Putinin, Behariç thotë se në Bosnje hyn në lojë edhe ndikimi i Kremlinit. Behariç kërkon që kjo politikë proruse e forcimit të etnonacionalistëve të ndërpritet menjëherë nga Presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen për arsye sigurie.
Rezistencë ka edhe në Bundestagun gjerman: këtu nuk duan më të pranojnë status quo-në etnokombëtare të Bosnjës. Një rezolutë e paraqitur nga koalicioni qeveritar dhe e miratuar javën e kaluar me votat e Unionit i cilëson Dragan Çoviç dhe Milorad Dodik si shkatërruesit e Bosnjës. Krahas kësaj Kroacisë dhe Serbisë i kërkohet të minimizojnë ndikimin e tyre nacionalist. Adis Ahmetoviç, një deputet socialdemokrat prindërit e të cilit ikën në Gjermani në trazirat e luftës, thotë: Parimi etnik nuk funksionoi; tani duhet të mbizotërojë "parimi evropian".
Vetëm Komisioni i BE-së duket se nuk dëshiron t'i nxjerrë këto mësime. Pse, pyet politologu nga Sarajeva Senadin Laviç, burokratët e Brukselit janë ende të gatshëm ta mbajnë Bosnjën si "aleancë fisnore" etno-nacionaliste? Është e qartë se kjo politikë nuk është në interes të qytetarëve.
Marion Kraske është politologe, eksperte e Ballkanit dhe ka drejtuar zyrën e Fondacionit Heinrich Böll në Sarajevë nga viti 2015 deri në vitin 2021. Ajo jeton në Hamburg si gazetare e pavarur.