Britania e Madhe ndihmon Izraelin për kërkimin e pengjeve
3 Dhjetor 2023Britania e Madhe po ndihmon Izraelin për kërkimin e pengjeve që janë ende në duart e organizatës terroriste Hamas në Rripin e Gazës. "Në mbështetje të operacionit për shpëtimin e pengjeve, Ministria Britanike e Mbrojtjes do të kryejë fluturime vëzhgimi mbi Mesdheun Lindor, përfshirë edhe hapësirën ajrore mbi Izrael dhe Gaza”, njoftoi qeveria e Londrës.
Avionët e vëzhgimit janë të paarmatosur dhe do të përdoren ekskluzivisht për të gjetur vendet ku mbahen pengjet. Autoriteteve përgjegjëse do t'u jepen vetëm informacione që lidhen me shpëtimin e pengjeve, thuhet më tej në njoftim. Mes pengjeve që janë ende në duart e organizatës terroriste Hamas ka edhe shtetas britanikë.
Nga 24 nëntori Izraeli dhe militantët islamikë Hamas ndaluan për herë të parë të gjitha sulmet për një javë. Gjatë këtij armëpushimi të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja Hamasi liroi 105 pengje, mes të cilëve 14 persona që kishin edhe pasaporta gjermane. Izraeli liroi nga burgjet 240 të burgosur palestinezë.
Autoritetet izraelite supozojnë se në Rripin e Gazës mbahen ende peng 137 vetë. Sipas ministrit izraelit të Mbrojtjes, Joav Galant, mes tyre janë 15 gra dhe dy fëmijë.
Zbulohen 800 hyrje tunelesh të Hamasit në Rripin e Gazës
Ushtria izraelite njoftoi se që nga fillimi i ofensivës tokësore në Rripin e Gazës në fund të tetorit trupat izraelite kanë zbuluar 800 hyrje tunelesh dhe bunkerësh nëntokësorë të Hamasit. Ndërkohë janë shkatërruar shumë kilometra të sistemit të gjerë të tuneleve. Disa prej tyre u hodhën në erë dhe disa u mbyllën, njoftoi ushtria izraelite. Disa nga tunelet lidhin nën tokë objekte strategjike të organizatës terroriste islamike Hamas, thuhet në deklaratë. Në disa prej tyre u gjetën armë.
Hyrjet e tuneleve janë zbuluar në zona banimi, shumë prej tyre pranë ose brenda ndërtesave të banimit, si dhe nën shkolla, kopshte, kënde lojërash dhe xhami.