1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bruksel: Dialogu Kosovë-Serbi rinisë në qershor

Bekim Shehu
29 Prill 2021

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.

https://p.dw.com/p/3slJi
Josep Borrell und Albin Kurti
Fotografi: Office of the Kosovo prime Minister Albin Kurti

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të rinisë para fundit të qershorit.

Dialogu i Kosovës me Serbinë pa alternativë

Josep Borrel tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë, ndërsa Albin Kurti, tha se dialogu nuk do të nglizhohet nga Prishtina zyrtare. Këto deklarata kryeministri i Kosovës Kurti dhe shefi i diplomacisë evropiane Borrel, i bënë në një koneferencë të përbashkët për medie në Bruksel, në kuadër të vizitës së parë zyrtare të kryeministrit kosovar në kryeqendrën evropiane.

Borell i gatshëm të ndihmojë të rinjtë në pushtet në Prishtinë 

“Rruga evropiane e Kosovës shkon nëpërmjet dialogut, nuk ka rrugë tjetër, alternativë tjetër. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është esenciale për të ecur drejt perspektivës evropiane, pa këtë rruga do të bllokohet. Për këtë e udhëzova z. Kurti që të angazhohet në mënyrë konstruktive në këtë dhe ai e ka kuptuar personalisht. Unë dhe ekipi im, përfshirë përfaqësuesin e lartë Mirosllav Lajçak, jemi të gatshëm të ndihmojmë përfaqësuesit e rinj të Kosovës të familjarizohen me procesin që po ndodh”, tha Josep Borrell pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Josep Borrell und Albin Kurti
Josep Borrell dhe Albin KurtiFotografi: Office of the Kosovo prime Minister Albin Kurti

Sipas tij, dialogu nuk do të jetë i lehtë, por është për përfitime të qytetarëve në Kosovë e Serbi dhe për gjithë Ballkanin. Josep Borrel tha se ky proces duhet të eci shpejt me një takim të parë të nivelit të lartë.

Kurti kupton rëndësinë e dialogut dhe premton angazhim 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, e konfirmoi se do të angazhohet në dialogun Kosovë-Serbi, i cili sipas tij duhet përgatitur mirë.

“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër  neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në majdhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut. Dialogu nuk do të jetë i neglizhuar nga ne”, tha Albin Kurti.

Dokumente fantomë

Edhe kryeministri i Kosovës edhe shefi i diplomacisë evropiane u pyetën nga gazetarët rreth dokumentit non-paper i publikuar ditët e fundit në mediet ballkanike, ku përmendet mundësia e ndryshimit të kufijve dhe një autonomi për serbët e Kosovës. Josep Borrel, mohoi të ketë pranuar ndonjë nga “non-paper” dhe tha se ai duhet të merret vetëm me dokumente të vërteta, ato të vendosura në tryezën e dialogut.

“Nuk kam pranuar asnjë nga këto dokumente fantomë, shpresoj nesër të mos dal ndonjë tjetër në skenë. Nuk po punoj me non-paper. Për mua këto dokumente fantome nuk janë çështje dhe më vjen keq që fake news që po qarkullojnë nëpër media. Kërkoj përgjegjësi nga mediat të mos postojë lajme të rreme që krijon probleme e ambient helmues, të shikojmë gjërat e vërteta, letrat e vërteta të vendosura në tavolinë”, tha Josep Borrell.

E kryeministri Kurti nga ana e tij, tha se ai nuk sheh zgjidhje nëse në dialog përfshihen territoret. “Unë nuk besoj në zgjidhje ku shihen regjionet në termet gjeografike dhe demografike, pa ekonominë sociale, pa siguri, pa qytetarët e republikës. Për mua këto harta duken si fotografi të rreme nga satelitët. Unë nuk dua t’i kushtoj më shumë vëmendje, ne duhet t’i dëgjojmë njerëzit e institucionet”, tha Kurti.

NATO mbështet rifillimin e dialogut Kosovë - Serbi

Kryeministri Kosovar  në Bruksel takoi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se NATO mbështet përpjekjet për të rifilluar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Jens Stoltenberg und Albin Kurti
Jens Stoltenberg dhe Albin Kurti Fotografi: Office of the Kosovo prime Minister Albin Kurti

“dialogu mbetet mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor", tha Stolenberg. Gjatë ditës se enjte, kryeministri Kosovar takon edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi. Mbrëmjen e një nate me parë, Albin Kurti u takua edhe me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.