1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bum në sektorin e pasurive të patundshme përgjatë bregdetit kroat

Ivana Zrilic8 Gusht 2007

Pas kyçjes së Kroacisë në procesin e integrimit evropian drejt saj është lëshuar një valë të huajsh me synimin që të pushtojnë bregdetin gjithnjë të mrekullueshëm dhe tani edhe të parrezikshëm të këtij vendi.

https://p.dw.com/p/BRzr
Porti i Rovinjës, Istri, KroaciFotografi: Illuscope

Në fshatrat dhe qytezat e vogla piktoreske të Kroacisë që shtrihen përgjatë bregdetit të Adriatikut e njohin të gjithë njëri-tjetrin. Të gjithë banorët e dinë nëse dikush do të shesë shtëpinë, se kujt do t'ia shesë e kështu me radhë. Ndryshe është puna me shtetin. Organet e tij nuk e dinë me saktësi se sa të huaj kanë blerë pasuri të patundshme në Kroaci. Sipas të dhënave zyrtare ky numër është rreth 70.000, por të gjithë e dinë se në realitet kjo shifër është më e lartë.

Në Kroaci nuk ekziston ende ndonjë ligj gjithëpërfshirës për rregullimin e tregut të pasurive të patundshme. Për miratimin e një ligji të tillë ka vite që flitet, por ai vazhdon të jetë ende në fazën e përpunimit.

„Jam i bindur se rreth 90% e pasurive të patundshme në Kroaci shiten në tregun e zi, jashtë institucioneve dhe pa dokumenta legale. Unë mendojs e kjo është tragjedi për shtetin kroat" - thotë Krizhan Furçiç, i cili ka që prej 15 vjetësh një agjenci shitblerjeje pasurish të patundshme.

Dokumentat për shtëpitë që u shiten të huajve në bregdetin kroat janë shpesh jo të plota, ka raste që ato kanë probleme me pronarët, në raste të tjera mungon infrastruktura, sheshet e parkimit e kështu me radhë, edhe pse këto janë elementë, që sipas ligjeve evropiane duhet të jenë standarde.

Çdo biznes përbëhet nga dy palë, njëra që shet dhe që synon të fitojë sa më shpejt dhe sa më shumë para dhe tjera që ble dhe që dëshiron të blejë sa më lirë që të jetë e mundur.

Por täë interesuarit duhet të bëjnë kujdes, mendon Krunoslav Lukenda, tregtar pasurish të patundshme luksoze:

„Unë dua t'u tërheq vëmendjen të gjithë atyre që duan të blejnë pasuri të patundshme në Kroaci, që të mos ta bëjnë një gjë të tillë pa një agjent pasurish të patundshme dhe pa një avokat të mirë."

Sepse, sikurse shton kolegu i tij Furcic, ai që dëshiron të blejë pasuri të patundshme mund të përballet me probleme:

„Problemi i pasurive të patundshme është shumë i komplikuar. Në shumë raste ka disa pronarë që mund të kenë mosmarrëveshje dhe për këtë problemet mund të zgjasin me vite."

Gjatë 15 viteve të fundit në tregun e pasurive të patundshme në Kroaci kishim të njëjtën gjendje. Çmimet për pasuritë e patundshme kanë shënuar çdo vit një rritje prej 10-15% sidomos në rajonet bregdetare.

Kështu edhe në Zadar. Në këtë qytet në bregdetin dalmat me rreth 80.000 banorë ka rreth 100 tregtarë pasurish të patundshme e megjithatë duket se punë ka për të gjithë. Tregtarët e pasurive të patundshme janë të kënaqur, por jo patjetër edhe blerësit kroatë.

Marin Slaviç sapo ka blerë një banesë në qendër të qytetit, por nuk është aspak i kënaqur me çmimin:

„Çmimi ishte relativisht i lartë. Në fakt banesën desha ta blija para dy vjetësh, por atëherë sikurse edhe sot të gjithë tregtarët e pasurive të patundshme thoshin se çmimet do të bien, sepse ato mbahen lart artificialisht. Çmimi që pagova tani ishte 20% më i lartë se para dy vjtësh. Unë si ekonomist mendoj se me hapjen e vendin në Zadar si dhe në të gjithë Kroacinë çmimet do të rriten dhe do të shkojnë në qiell. Do të viojnë rusët, anglezët, sllovenët"

Aktualisht çmimet në tregun kroat shkojnë nga 1.500 euro për metër katror për një banesë normale deri në 2.000 euro për metër katror për një banesë luksoze. Një shtëpi e vjetër dhe gati e shkatërruar në bregdetin dalmat kushton rreth 50.000 euro, kurse në Istri çmimet fillojnë nga 100.000 euro e lart.

Zhvillimin e tregut në të ardhmen s'mund ta parashikojë askush. Ajo që dihet është se shumica e blerësve vijnë nga Gjermania, Austria, Zvicra, Hungaria dhe pjesërisht edhe nga Holanda dhe Italia. Aktualisht po shtohet edhe interesi i blerësve nga Anglia.