Busek përshëndet kërkesën kroate për anëtarësim në BE
2 Mars 2003Kërkesa e Kroacisë për t'u anëtarësuar në BE dhe rezonanca pozitive në qarqet e Bruksesit, është një hap i drejtë, por nuk duhet të shërbejë si motiv për të ndenjtur duarkryq. Sipas mendimit të koordinatorit të posaçëm për Paktin e Stabilitetit Erhard Busek kjo kërkesë është një dëshmi tjetër që rajoni po bëhet edhe më i qëndrueshëm dhe tregon se Kroacia vazhdon të këmbëngulë për zbatimin e reformave. Por kërkesa për anëtarësim në BE do të thotë edhe shtimin e përgjegjësisë në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sikurse e kërkon këtë qartë BE që e konsideron si kusht për integrimin e mëtejshëm. Në këtë drejtim do të ishte e rëndësishme që Kroacia të vazhdonte të përqëndrohej në procesin e stabilizimit dhe të asociimit si dhe në Paktin e Stabilitetit për të ndarë përvojën e saj në mënyrë konstruktive edhe me fqinjët.
Kroacia është partner aktiv i Paktit të Stabilitetit. Përveç drejtimit të tryezës së punës për sigurinë dhe mbrojtjen prej ambasadorit Vladimir Drobnjak, ajo është edhe bashkëdrejtuese e tryezës ekonomike dhe do të jetë mikpritëse e tryezës rajonale të Paktit të Stabilitetit më 26 dhe 27 maj në Zagreb.
Megjithë këto fjalë dhe vlerësime pozitive në drejtim të Kroacisë prej koordinatorit të posaçëm të Paktit të Stabilitetit gjykimi nëse kërkesa kroate për anëtarësim në BE do të ketë apo jo sukses mbetet kompentencë e vetme e shteteve anëtare dhe institucioneve të BE.
Megjithëse mesazhi më i rëndësishëm, që solli me vete prej turneut të tij nëpër Evropë kryeministri kroat Ivica Racan, është se dera e Bashkimit Evropian nuk është e mbyllur për Kroacinë, Kroacisë i mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim.
Shancet për t'ia arritur këtij qëllimi janë të pranishme. Një numër politikanësh evropianë e përkrahin iniciativën kroate. Këtu bëjnë pjesë komisari i BE-së për zgjerimin drejt Lindjes, Günther Verheugen, presidenca greke e BE apo Gerhard Schrëderi dhe Silvio Berliskoni.
Lëvdatat e njëzëshme në adresë të Kroacisë përzihen njëkohësisht me tone kritike. Njëra nga kërkesat është që Zagrebi të bashkëpunojë pa kufizime me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Rasti më i fundit ishte ai i gjeneralit Janko Bobetko. Pas shumë përpjekjesh dhe raportit të një komisioni mjeksor nga Haga, qeveria kroate arriti ta qetësojë Brukselin, duke deklaruar se gjendja shëndetsore e gjeneralit në fjalë është tepër e keqe. Por kjo nuk e zgjidh problemin. Racani është i ndërgjegjshëm, se po ta dorëzonte Bobetkon do të ngjallte zemërimin e një pjese të opinionit të gjërë kroat. Qeveria aktuale kroate është e dobët dhe nacionalistët përpiqen ta shfrytëzojnë çështjen e Hagës për të bërë propagandë në favor të tyre. Pra gjendja e rëndë shëndetsore e Bobetkos është në favor të Racanit. Por në të ardhmen Gjykata e Hagës do t'i dorëzojë përsëri qeverisë kroate një listë me personat e kërkuar dhe problemet do të rishfaqen.
Kroacia ka një sërë problemesh në rrugën për anëtarësim në BE. Papunësia e madhe rëndon mbi buxhetin e shtetit, pagat janë të ulta kurse çmimet si në Perëndim. Procesi i privatizimit dominohet prej nepotizmit etj. etj.
Një problem tjetër zgjidhja e të cilit do të jetë tepër e kushtueshme është sigurimi i kufijve të Kroacisë. Vija kufitare kroate është tepër e gjatë dhe mund të kalohet fare kollaj nga trafikantët e drogave. Po ashtu ishujt e shumtë mund të shërbejnë fare lehtë si pikë zbarkimi për gomonet me refugjatë.
Edhe pse policia kroate ia ka dalë deri tani mbanë që të organizojë disa aksione spetakolare në luftën ndaj krimit të organizuar, kjo është vetëm maja e aisbergut.
Rruga e Kroacisë drejt BE paraqitet pra tepër e vështirë. Përvoja e vendeve të tjera kandidate tregon, se për qytetarët kjo sjell me vete kufizime të mëdha. Për këtë viti 2004 po pritet me shumë interes, sepse do të bëhet e qartë, nëse transformimi shoqëror që BE vë si kusht për anëtarësim, vërtet ia ka vlejtur për qytetarët e këtyre vendeve.