1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CDU e CSU kërkojnë forcim të mëtejshëm të ushtrisë gjermane

31 Gusht 2022

Grupi parlamentar unionist në Bundestag bën thirrje për një rritje të mëtejshme të investimeve për Forcat e Armatosura gjermane dhe për mbrojtjen.

https://p.dw.com/p/4GDoK
Fraktion der CDU/CSU
Fotografi: Florian Gaertner/photothek/picture alliance

"Bundeswehr-i duhet të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur për t'u bërë forca e armatosur konvencionale më e fuqishme e partnerëve evropianë të NATO-s", thuhet ndër të tjera në një dokument, në të cilin grupi parlamentar i partive unioniste përcakton linjat e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. Për këtë temë informon sot revista e njohur Spiegel. Kryesia e grupit parlamentar pritet ta miratojë këtë dokument gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura në fundjavë.

Sipas dokumentit, grupi parlamentar CDU/CSU vlerëson se fondi i posaçëm prej 100 miliardë eurosh i vendosur për ushtrinë gjermane nuk është i mjaftueshëm. Qeveria federale, megjithë këtë, nuk arrin të "investojë në mbrojtje më shumë se dy përqind të produktit të brendshëm bruto të premtuar", shkruhet në dokumentin e partive konservatore.

Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU-së
Friedrich Merz, kryetar i grupit parlamentar të CDU-sëFotografi: Wolfgang Kumm/dpa/picture alliance

Ne kemi nevojë për një rritje afatgjatë të buxhetit të mbrojtjes. "Vetëm kështu mund të vazhdohen investimet e nevojshme në Bundeswehr, edhe pas përfundimit të fondit të posaçëm. Kancelari më në fund duhet të ndjekë me vepra deklarimet e tij dhe marrëveshjet tona të përbashkëta", shkruhet në dokument.

Armë të rënda nga Bundeswehr-i për Ukrainën

Përveç rritjes së buxhetit të mbrojtjes, CDU dhe CSU duan gjithashtu të angazhohen për dërgimin e "sistemeve moderne të armëve" në Ukrainë. "Deri tani, projekti rrethor i shkëmbimit të armëve mezi ka kaluar përtej fazës së shpalljes dhe ka shkaktuar zhgënjim dhe hidhërim midis aleatëve tanë." Mbi të gjitha, tani është e nevojshme të bëhen furnizime me "pajisje të rënda të ushtrisë gjermane që nuk nevojiten urgjentisht në plan afatshkurtër dhe afatmesëm". Përveç kësaj, industria duhet të lejohet "të jetë në gjendje të eksportojë pajisje të rënda nga stoku i saj", thuhet në dokument.

 

 

 

aud (spiegel)