Ronaldo futbollisti i vitit 2013
14 Janar 2014
Në treshen finale për këtë edicion të Topit të Artë përveç Cristiano Ronaldos figuronte edhe francezi Franck Ribery nga Bajerni i Mynihut dhe argjentinasi Lionel Messi. Por superylli portugez nga Real Madridi morri në fund më shumë vota duke u kurorëzuar kështu si futbollisti më i mirë i vitit 2013. Për Ronaldon kjo është hera e dytë që fiton këtë çmim, pas suksesit të arritur në vitin 2008, kur udhëhoqi Manchester United drejt suksesit në Champions League. Nga viti 2009 deri në vitin 2012 Topi i Artë i ka takuar katër herë radhazi argjentinasit Lionel Messi.
Cristiano Ronaldo shënoi vitin e kaluar për Real Madridin gjithsej 69 gola. Ai la një përshtypje të mirë edhe me lojën për kombëtaren e Portugalisë. Me katër golat e shënuara kundër kombëtares suedeze ai praktikisht e kualifikoi Portugalinë në Kampionatin Botëror 2014 që do të zhvillohet në Brazil. "Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë moment", tha Ronaldo, pas fitoi Topin e Artë. "Dua të falenderoj të gjithë shokët e mi tek Reali i Madridit, tek përfaqësuesja, familjen time të pranishme këtu. Është një nder i pakrahasueshëm. Falenderoj presidentin, shumë prej personave që më kanë ndihmuar që të mbërrij këtu, të fejuarën time, djalin tim dhe Eusebion që nuk jeton më, por që më ka frymëzuar që në hapat e mi të parë si futbollist. Është një moment shumë emocionues për mua, nuk mund të flas më shumë", shtoi portugezi.
Si lojtarja më e mirë për vitin 2013 u zgjodh Nadine Angerer. Kampionia e Evropës është gjermanja e dytë pas Birgit Prinz (2003-2005) dhe portierja e parë që është nderuar ndonjëherë me këtë çmim.
Pas triumfit të tij të trefishtë me FC Bayern-in, Jupp Heynckes është shpallur trajneri i vitit 2013. 68-vjeçari morri më shumë vota se ish-trajneri i Manchester United Sir Alex Ferguson dhe Juergen Klopp nga Borussia Dortmund.
Edhe çmimi për trajneren më të mirë shkon në Gjermani: trajnerja 49 vjeçare e kombëtares gjermane Silvia Neid është votuar përsëri si trajnerja më e mirë e futbollit në botë.