1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deklarata të politikanëve të BE dhe analistëve pas njohjes nga Rusia të Osetisë e Abkazisë

DW-TV27 Gusht 2008

Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner druhet për spastrime etnike, kurse kancelarja Angela Merkel flet për shkelje të integritetit territorial. Analistët kërkojnë mbajtjen e një qendrimi të matur.

https://p.dw.com/p/F5lz
Cinvali, Osetia Jugore, 26.08.08
Cinvali, Osetia Jugore, 26.08.08Fotografi: AP

Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner theksoi lidhur me tensionet e krijuara pasi Rusia njohu pavarësinë e Abkazisë dhe të Osetisë Jugore :

"Ky është një zhvillim i papërshtatshëm. Ne e kemi dënuar qartë deklaratën e presidentit Medvedjev po ashtu edhe vendimet e parlamenteeve në Osetinë Jugore, në Abkazi dhe atë të Dumës ruse. "

Kushneri madje shprehu shqetësimin edhe për rrezikun e "spastrimeve etnike". Të martën në mbrëmje në televizionin shtetëror francez Kushner paraqiti një hartë të fshatit Akalgori dhe deklaroi:

"Kjo është një hartë e Osetisë. Në këtë fshat të quajtur Akalgori gjatë natës trupat ruse kanë dëbuar banorët në drejtim të Gjeorgjisë për të krijuar një Oseti homogjene. Një gjë e tillë është e papranueshme."

Zëdhënësi Toni Frato e dënoi gjithashtu veprimin e Rusisë duke nënvizuar:

"Rusia po merr ndërkohë një sërë vendimesh jo racionale. Në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë vetëm me Rusinë dhe SHBA, por edhe me Evropën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arësye me atë që po bën Rusia tani mund të ndryshojë poziccionin e saj në botë."

Kancelarja Angela Merkel, për vizitë në Talin të Estonisë, zgjodhi dje një gjuhë më të drejtpërdrejtë.

"Sipas gjykimit tim dhe tonit, kjo i bie ndesh parimit të integritetit territorial, një parimi bazë të së drejtës ndërkombëtare, dhe kjo është absolutisht e paparanueshme."

Presidenti rus Medvedjev mbron kursin e tij në konfliktin e Kaukazit. Tani topi ndodhet në fushën e evropianëve, u shpreh ai në intervistë për mediet e huaja. Por nëse marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit do të përmirësohen apo përkeqësohen, kjo në radhë të parë është në dorën e evropianëve. Eksperti gjerman për Rusinë nga shoqata gjermane për politikën e jashtme Aleksandër Rahr analizon:

"Unë mendoj, se nuk duhet ta ekzagjerojmë çështjen, ndonëse ajo është mjaft e vështirë. Ne kemi të bëjmë nga njëra anë me një shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Rusisë, nga ana tjetër kemi të bëjmë me sulmin e Shakashvilit ndaj republikës separatiste të Osetisë Jugore. Gjithashtu në sfond qëndron konflikti i Kosovës, të cilin Rusia e mori si shkas për të përdorur edhe në Jug të Kaukazit rregullat perëndimore të lojës në Ballkan. E megjithatë ne kemi nevojë për Rusinë. Kriza në Afganistan nuk ka marrë fund dhe furnizimet për trupat e NATO-s atje kalojnë përmes territorit rus. Ne e shohim se marrëdhëniet e partneritetit me Rusinë vazhdojnë të kenë rëndësi strategjike. "