Correctiv: Deputetë të AfD takohen me neonazistë në Zvicër
28 Dhjetor 2024Sipas një raporti të organizatës mediatike investigative dhe jo fitimprurëse gjermane, Correctiv, deputetë të partisë nacionaliste gjermane, Alternativa për Gjermaninë, AfD, janë takuar sërish me neonazistë. Këtë radhë, jo në Potsdam, si një vit më parë, por në Zvicër. Jean Peters nga Correctiv i tha ARD-së se Correctiv kishte infiltruar një gazetar të vetin në takim: "Ne infiltruam një gazetar në një takim midis një deputeti të Bundestagut, Roger Beckamp, dhe një anëtareje të parlamentit të Brandenburgut, Lena Kotré".
Sipas Correctiv, në takim kishte edhe anëtarë të organizatës neonaziste "Blood and Honor”. Kjo është një organizatë e ndaluar në Gjermani. Takimi zhvillohej me ftesë të grupit neo-nazist zviceran "Junge Tat” (Vepër e re). Të dyja organizatat konsiderohen të dhunshme dhe po monitorohen nga autoritetet në Gjermani dhe Zvicër.
Deputetët e AfD për privatizimin e dëbimeve
Raporti i platformës Correctiv tregon edhe një herë afërsinë e AfD me skenën neo-naziste. Ata shkëmbejnë idetë e tyre ekstremiste. Deputetja e parlamentit të Brandenburgut, Lena Kotre ka shprehur idenë për të përdorur mostra të ADN-së dhe analiza gjuhësore për të përcaktuar origjinën e refugjatëve e për t'i deportuar ata në vendet e origjinës. Raportohet se ajo është shprehur edhe për heqjen e shtetësisë gjermane për ata shtetas që shkelin ligjet.
Tobias Ginsburg, gazetari i Correctiv që mori pjesë në takimin e fshehtë, ka vërejtur prej kohësh se pikëpamje të tilla ekstremiste të djathta nuk ndahen më vetëm në grupet neo-naziste, por po zhvendosen gjithnjë e më në qendër të shoqërisë, me ndihmën e AfD-së: "Unë mendoj se druajtja po bie gjithnjë e më shumë. Nuk është më pyetja se a është AFD një parti e djathtë ekstreme, por se a dallon ajo nga një skenë e mirëfilltë neonaziste", tha Ginsburg.
Oferta pune për neo-nazistët
Sipas Ginsburg, deputeti i AfD-së, Beckamp, u ofroi neonazistëve mundësinë për të punuar në zyrat e AfD-së në Bundestag. Ai tha se kështu mund të siguroheshin para për të financuar "gjëra të tjera" që ndihmojnë qëllimet politike të partisë.
Deri tani, AfD nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto akuza. AfD nuk ka kthyer përgjigje as ndaj pyetjeve të bëra nga ARD lidhur me raportin e Correctiv dhe pasojat e mundshme për deputetët e përfshirë.