1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deputeti grek: Në Shqipëri shkelen të drejtat civile

11 Gusht 2023

Deputeti grek Syrigos tha pas një takimi me Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur në Bashkinë e Himarës në Lokalet 2023, se në Shqipëri shkelen të drejtat civile.

https://p.dw.com/p/4V51M
Deputeti grek: Në Shqipëri shkelen të drejtat civile
Deputeti grek: Në Shqipëri shkelen të drejtat civileFotografi: Dimitra Kyranoudi/DW

Deputeti grek i Partisë "Demokracia e Re,” Angelos Syrigos takoi të premten (11.08) në Qendrën Spitalore të Burgjeve, Fredi Belerin, i cili akuzohet për "korrupsion aktiv” për shit-blerje votash. Fredi Beleri e ka mohuar akuzën dhe autoritetet greke, që prej tre muajsh, kanë kërkuar me këmbëngulje lirimin e tij.

Në Himarë jeton një komunitet i minoritet grek në Shqipëri. Fredi Beleri u arrestua më 12 maj të këtij viti, dy ditë para zgjedhjeve lokale, që u zhvilluan më 14 maj dhe që ai i fitoi duke qënë i arrestuar me burgim.

Qendra Spitalore e Burgjeve, ku deputeti grek i Partisë "Demokracia e Re,” Angelos Syrigos takoi Fredi Belerin
Qendra Spitalore e Burgjeve, ku deputeti grek i Partisë "Demokracia e Re,” Angelos Syrigos takoi Fredi BelerinFotografi: Ani Ruci/DW

Takimi Syrios – Beleri u zhvillua në prag të skadimit të hënën (15.08) të afatit ligjor prej tre muajsh për betimin e kryetarëve të 61 bashkive, të zgjedhur në Lokalet 2023. Vetëm pas betimit ata mund të ushtrojnë funksionet e tyre.

Syrigos: Janë shkelur të drejtat civile

Angelos Syrigos, deputeti i partisë në pushtet "Demokracia e Re", e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis,  deklaroi pas takimit para gazetarëve se "shteti shqiptar ka shkelur disa të drejta nga moslejimi i kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, për të bërë betimin.”

”Nuk është respektuar prezumimi i pafajësisë. Kjo është shkelje e të drejtave civile. Nga 31 raste të hetuara në Shqipëri për korrupsion elektoral vetëm Fredi Beleri është burgosur” deklaroi në Tiranë, Angelos Syrigos.

Ai theksoi se burgosja e kryetarit të zgjedhur për të drejtuar bashkinë e Himarës përbën një rast të moszbatimit të shtetit ligjor.

Pamje nga zgjedhjet lokale në Shqipëri zhvilluar më 14 maj 2023
Pamje nga zgjedhjet lokale në Shqipëri zhvilluar më 14 maj 2023Fotografi: Florion Goga/REUTERS

 

"Për Greqinë dhe Bashkimin Europian nuk është e kuptueshme, se përse një kryetar i zgjedhur bashkie nuk mund të shkojë në zyrën e tij dhe të bëjë betimin, gjë që nuk ka të bëjë me arrestimin,” theksoi Syrigos të premten në Tiranë.

Sipas ligjit të Shqipërisë mandati i një kryetari të zgjedhur të bashkisë merr fund kur ai "nuk pranon të betohet.”

Për autoritetet greke ky parashikim ligjor nuk mund të jetë i zbatueshëm në rastin e Fredi Belerit, pasi në rrethanat kur ai ndodhet për arësye shëndetësore në spitalin e burgut të Tiranës, nuk mund të bëjë betimin.

Pasoja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE?

Ҫështja Beleri ndodhet tani në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) e ka çuar pas përfundimit të hetimeve. Sipas prokurorëve të kësaj strukture, "bazuar në prova, të dhëna dhe dëshmitarë ka rezultuar që akuza ndaj Fredi Belerit rezulton të jetë e provuar tej çdo dyshimi. Ai ka ofruar para në këmbim të votave për kandidaturën e tij”.

Syrigos paralajmëroi në Tiranë se pas takimit dhe deklaratave të tij në Tiranë "për Shqipërinë do të ndodhë fatkeqësisht hapi tjetër pasi BE luan një rol të rëndësishëm në respekt të shtetit të së drejtës.”

Paralajmëri i tij vjen në vijim të deklaratave të autoriteteve greke se "burgosja e Belerit është e paligjshme dhe cënon shtetin e të drejtës”.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Gerapetritis
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos GerapetritisFotografi: Giannis Panagopoulos/Imago Images

Në mediat e Tiranës citohet ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Gerapetritis të ketë deklaruar se "nuk mund të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kur ka një shkelje të tillë të shtetit ligjor dhe prezumimit të pafajësisë së zotit Beleri".

Sipas Gerapetritis "për shkak të çështjes Beleri rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e shtruar me gjemba,”

Pritet që në tetor të këtij viti, kur do të publikohet raporti i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë drejt BE, të hapen fondet e para-anëtarësimit, për të cilat, nisur nga deklaratat e deritanshme të autoriteteve greke, ka gjasa që Greqia të votojë kundër.

Fredi Beleri u kandidua për kryetar të Bashkisë së Himarës nga koalicioni opozitar i përbërë nga Partia e Lirisë, e ish-presidentit Ilir Meta dhe grupimi i demokratëve, i udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha. Autoritetet e Shqipërisë i janë përgjigjur kërkesës së Greqisë dhe paralajmërimeve të saj se është sistemi i pavarur i drejtësisë që pritet të japë vendimin e tij.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana