1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deputetë të Bundestagut përshëndesin vendimin e BE-së

24 Mars 2020

Deputetë të Bundestagut kanë reaguar ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

https://p.dw.com/p/3Zygq
Berlin Bundestag | Menschenleere Kuppel des Reichstagsgebäude
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Deputetë të Bundestagut kanë reaguar ndaj vendimit të sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Në një deklaratë për mediat bërë të martën në mbrëmje, 
nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe njëherazi kryetar i Grupit të Punës së Ballkanit Perëndimor të këtij grupi parlamentar, Johann David Wadephul, e përshëndet vendimin por e vë theksin te kushtet e vendosura enkas për Shqipërinë: 

Deklaratë mosbesimi

“Vendimi i sotëm nga Ministrat Evropianë të Bashkimit Evropian konfirmon perspektivën në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo është një shenjë inkurajimi dhe shprese për njerëzit, veçanërisht në periudhat e vështira të krizës së virusit korona, e cila po i prek të dy vendet në një masë të madhe", thuhet në deklaratë. 

Johann David Wadephul, CDU
Johann David Wadephul, CDUFotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Por Wadephul kujton edhe kushtet e vendosura enkas për Shqipërinë duke i quajtur kushtet e shtuara edhe si 
"një deklaratë mosbesimi ndaj Komisionit të BE-së". Ky i fundit kishte propozuar që negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë të fillonin pa kushte. "Fakti që vendet anëtare tani kanë parashtruar 15 parakushte tregon se ato presin që Komisioni i BE-së ta monitorojë përparimin në mënyrë më të rreptë dhe të kujdesshme. Kjo duhet të vlejë për përmbushjen e 15 parakushteve, si dhe për të gjithë procesin e bisedimeve," ka deklaruar Wadephul. 

"Ne jemi të bindur që Komisioni i ri i BE-së, nën Presidenten Ursula von der Leyen, do ta marrë parasysh këtë. Grupi parlamentar CDU / CSU, së bashku me partnerët e tij evropianë, do të kërkojë me ngulm që të 15 parakushtet të përmbushen plotësisht para se të fillojnë negociatat e anëtarësimit", ka thënë Wadephul.


Edhe nënkryetarja tjetër e grupit parlamentar CDU/CSU të Parlamentit Gjerman, Katja Leikert, e përshëndet vendimin, sidomos për Maqedoninë e Veriut, e cila "duhej të priste më shumë se dhjetë vjet" për këtë vendim. 

Për Shqipërinë, deputetja kristdemokrate thotë, se duhet të plotësojë 15 parakushtet para fillimit të negociatave. "Nëse qeveria shqiptare ka vullnetin politik për të zbatuar seriozisht dhe plotësisht këto parakushte, Gjermania do të mbështesë në mënyrë aktive Shqipërinë", thotë Leikert. "BE është për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por vlerëson secilin vend sipas përparimit të tij individual në rrugën drejt Evropës", është shprehur Leikert në deklaratë.

Deputetja socialdemokraet Nezahat Baradari në të kundërt mendon se vendimi është i merituar.:

"Hapja e bisedimeve të pranimit me të dy vendet është një shenjë e rëndësishme e integrimit evropian. Bashkimi Evropian është në gjendje të veprojë dhe të marrë vendime edhe në kohën e virusit korona!

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë zbatuar reformat që ata kërkuan, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit", u shpreh ajo në një deklaratë për media.

"Sidoqoftë, ka ende një rrugë të gjatë për t'u bërë anëtarë të plotë dhe ky është vetëm fillim i negociatave. Unë jam i sigurt se ky vendim do të konsolidojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ai është edhe një refuzim i qartë i nacionalizmit dhe i përjashtimit. Ballkani është pjesë e Evropës ".

Johann David Wadephul, CDU, MdB
Deputetja socialdemokraet Nezahat Baradari Fotografi: Bernhardt Fotografie


Kushtet për Shqipërinë

Sipas informacioneve të DW,përveç dy kushteve të vendosura nga Bundestagu, pra, reforma zgjedhore dhe funksionimi i gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë, deri në fillimin e konferencës ndërqeveritare Shqipëria duhet të plotësojë edhe kushte të tjera, që kanë të bëjnë me azilkërkuesit dhe riatdhesimin e tyre, ligjin e medias, apo bashkëpunimin me shtetet antare të BE-së në luftën kundër financimit të krimit të organizuar dhe larjes së parave. 

Sipas draftit, para se të fillojë konferenca ndërqeveritare për çeljen e negociatave Shqipëria duhet

-    të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale,
-    të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore,
-    të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë opinionet e zbatueshme të Komisionit të Venecias,
-    të përmbyllë krijimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
-    të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin me shtetet anëtare të BE-së dhe të adresojë në një plan veprimi rekomandimet e Task Force të Veprimit Financiar (FATF).
-    të trajtojë fenomenin e kërkesave të pabaza të azilit dhe të ofrojë riatdhesime,
-     të ndryshojë ligjin e mediave në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Më tej në tekst thuhet se korniza e negociatave do të miratohet nga Këshilli i BE-së dhe duhet të pasqyrojë se Shqipëria ka adresuar me sukses:

-    fillimin e procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të Vettingut
-    fillimin e procedurave kundër atyre që akuzohen për blerje votash,
-    suksese të mirëfillta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedurave dhe përfundimin e procedurave të para kundër zyrtarëve të lartë dhe politikanëve,
-    përparim të dukshëm në reformën e administratës publike,
-    zbatim të reformës së ligjit zgjedhor si dhe një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019,
-    si dhe përparimin e mëtutjeshëm në miratimin e legjislacionit të mbetur në lidhje me ligjin kornizë 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare,
-    miratimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës
-    dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave.