Derë e re për sinagogën në Halle
29 Korrik 2020Sulmi ndaj sinagogës në Halle ishte një pikë kthese në historinë gjermane të pas luftës. Më 9 tetor 2019, një 27-vjeçar i amatosur me armë të rënda u përpoq të hynte në sinagogën e Halles. Ai qëlloi disa herë në derën sinagogës por ajo nuk ra.
Në atë kohë në sinagogë ishin mbledhur 52 vetë për të festuar festën më të lartë hebraike Yom Kippur. Dera e blinduar u shpëtoi atyre jetën. Tani marangozi Thomas Thiele nga Dessau do ta riparojë derën e dëmtuar me disa vrima plumbash dhe ajo do të kthehet në objekt përkujtimor dhe do të bëhet pjesë e një monumenti përkujtimor, i cili pritet të përfundojë më 9 tetor 2020, në përvjetorin e parë të sulmit - njoftoi kryetari i komunitetit hebre në Halle, Max Privorozki.
Zdrukthtari 47-vjeçar tha për mediat se ngjarja i shkakton "ndjenja të përziera" dhe se atentati dhe vuajtja e njerëzve e trondisin ende dhe sot. Thiele ka instaluar ndërkohë derën e re të hyrjes në sinagogën e Halles, të cilën e përgatiti me dorë në më shumë se 80 orë pune sipas origjinalit dhe e pajisi edhe me teknologji sigurie me pllaka çeliku.
Procesi
Atentatori i Halles po gjykohet aktualisht në Gjykatën Rajonale në Magdeburg. I akuzuari Stephan B. akuzohet për 13 krime përfshirë vrasje dhe tentativë për vrasjeje. Nëse dënohet, i akuzuari pritet të dënohet me burgim të përjetshëm.
Stephan S. e filmoi të gjithë atentatin e tij në Halle me një kamera që e kishte vendosur në helmetë dhe i transmetoi imazhet drejtpërdrejt në Internet. Pasi nuk mundi të hynte në sinagogë, ai qëlloi dhe një grua 40-vjeçare, e cila u përpoq ta ndalonte. Ai e plagosi atë për vdekje dhe më pas qëlloi edhe një 20-vjeçar që punonte në një dyqan dëneri në Halle.
Ditët e para të gjyqit në Magdeburg, atentatori e pranoi gjerësisht krimin dhe nuk tregoi aspak keqardhje dhe u shpreh haptaz për botëkuptimin e tij antisemitik dhe racist.