Deutsche Welle: Freedom of Speech Award i jepet Raif Badawit
25 Shkurt 2015Intendanti Peter Limbourg: "Bordi i drejtorëve të Deutsche Welle-s vendosi njëzëri për Raif Badawin. Ai përfaqëson në mënyrë të shquar angazhimin e guximshëm, të patrembur për shprehjen e lirë të mendimit, e drejtë e njeriut. Vlerësimi me çmim nga ne synon të transmetojë një sinjal të fortë dhe ta zhvendosë fatin e tij edhe më fort në vëmendjen e publikut botëror. Shpresojmë që në këtë mënyrë do të shtohet presioni ndaj personave përgjegjës në Arabinë Saudite, për ta lënë më në fund të lirë Badawin."
Blogeri 31 vjeçar Raid Badawi u dënua në maj 2014 nga drejtësia saudite me 1.000 rrahje me shkop, dhjetë vjet burg dhe me një gjobë të madhe. Në 9 janar atë e rrahën për herë të parë publikisht.
Ensaf Haider, gruaja e tij që jeton në Kanada, i tha Deutsche Welle-s: "Unë jam jashtëzakonisht e lumtur! Freedom of Speech Award i Deutsche Welle-s i dërgon një mesazh të qartë regjimit saudit. Është turp që Raifi ndodhet ende në burg. Veçanërisht në këto kohë, kur Arabia Saudite zhvillon luftë kundër grupit që përçmon të drejtat e njeriut, "Shteti Islamik". Unë i jam Deutsche Welle-s thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e saj."
Dorëzimi i Çmimit në Global Media Forum
Në kuadër të „The Bobs – Best of Online Activism“, Deutsche Welle nderon për të njëmbëdhjetën herë aktivistë të shquar ndërkombëtarë në internet dhe projekte të rrjetit. Për edicionin 2015, transmetuesi gjerman për botën e jashtme e ka përpunuar konceptin e "the Bobs". Risia më e rëndësishme është Freedom of Speech Award, me të cilin Deutsche Welle nderon një person ose një inisiativë, e cila angazhohet në mënyrë të veçantë për lirinë e mendimit në botën digjitale.
Fituesi i Freedom of Speech Award si dhe mbajtësit e çmimeve në tri kategoritë e jurisë të "The Bobs" do të nderohen më 23 qershor në Global Media Forum të Deutsche Welle-s në Bonn.
Me guxim për lirinë e mendimit
Raif Badawi lufton prej vitesh për lirinë e mendimit në vendin e tij. Në faqen e internetit "Liberalët e Lirë Sauditë" ai tematizon gjendjen politike dhe difektet në politikën dhe në shoqërinë e Arabisë Saudite. Ai ka publikuar për shembull artikuj sarkastikë për policinë fetare, e ka quajtur një universitet të madh të vendit strehë terroristësh dhe ka shkruar për ditën e Shën Valentinit – edhe kjo është e ndaluar në Arabinë Saudite. Në qershor 2012 e arrestuan për të disatën herë. Akuza: Badawi kishte fyer në faqen e tij në internet fenë islame, drejtues fetarë dhe politikanë. Gruaja e tij Ensaf Haidar u arratis në vitin 2013 së bashku me tri fëmijët e përbashkët nga Arabia Saudite. Familja mori azil politik në Kanada.