Dhjetëvjetori i universitetit për fëmijë
18 Tetor 2012Vetëm para minutash korridorët e Universitetit të Hamburgut ishin të heshtur. Ndërkohë nëpër ta ecin qindra këmbë të vogla. Përmes dyerve automatike mësyjnë rreth një mijë fëmijë në Audimax, sallën më të madhe të leksioneve në Universitetin e Hamburgut. Çdonjëri në kërkim të vendit më të mirë. Radhët e para zihen brenda pak minutash, të tjerat gjithashtu një pas një. Djemtë dhe vajzat janë plot interes, bisedojnë, lodrojnë. Kur vjen momenti i leksionit, ata kërcejnë përpjetë e brohorasin nga gëzimi.
Profesori i fizikës, Robi Banerjee, nuk e njeh një pritje të tillë në universitet në ditët normale të mësimit. Por një herë në vit, universiteti ofron një seri leksionesh pa pagesë për fëmijët. Këtë herë astrofizika është tema e leksionit për fëmijët nga mosha 8-12 vjeç. "Para se të flasim për yjet, duhet të trajtojmë njëherë çështjen se çfarë është një yll." Prof. Robi Banerjee e fillon kështu leksionin.
"Yjet janë interesante"
Vajzat dhe djemtë e dëgjojnë me shumë vëmendje. Krahas një karte studenti që i jepet çdo fëmije, në tavolina vendosen fletore dhe lapsa. Shumë fëmijë mbajnë shënime sa të munden. "Kështu mund të mbaj mend më mirë", thotë Dana, një vajzë 9-vjeçare që rri ulur në fillim. Edhe Moritz dhe shoku i tij shkruajnë: Që yjet krijohen nga gazrat dhe pluhuri kozmik, që dielli djeg 4 milionë tonë materie në një sekondë, dhe se lënda djegëse e diellit mjafton për 10.000 miliardë vjet. Moritz është shumë i kënaqur me leksionin, yjet janë tema e tij e preferuar.
"Universiteti i Hamburgut ka bërë sondazhe, se cilat janë temat që i interesojnë kësaj grupmoshe", thotë Gaby Gahnström nga grupi i punës për universitetin e fëmijëve. Nga të gjashtë fakultetet zgjidhet pastaj një temë për njërin nga gjashtë leksionet. "Për universitetin, ky projekt është interesant për t'iu prezantuar pozitivisht publikut" thotë Gahnström. Por më shumë se kaq ajo dëshiron që universiteti të jetë diçka interesante dhe që fëmijët të kuptojnë se ç'do të thotë të merresh me shkencë.
Jo konkurrencë për shkollën
Megjithatë projekti nuk synon të jetë konkurrencë për shkollat, por më shumë të zgjojë vëmendjen dhe të shuajë etjen për dije. Ky ishte edhe synimi i themeluesve i projektit të parë universitetin e fëmijëve në Gjermani. Michael Seifert, zëdhënës i shkollës së lartë të Tybingenit shpjegon se ideja "nuk ka të bëjë me tronditjen që shkaktoi në Gjermani rezultati i testit të njohur si "PISA", megjithëse kjo përmendet shpesh në medie." Në këtë universitet u hapën dyert që para dhjetë vitesh për studentët e vegjël. Që këtu u përhap ideja e universitetit edhe për fëmijët. Në të gjithë botën ekzistojnë rreth 200 universitete fëmijësh në më shumë se 20 vende. Vetëm para pak kohësh një universitet kanadez ka kërkuar bashkëpunim me universitetin e Hamburgut në këtë drejtim.
Ndezja e dëshirës për universitetin
Në sallën e leksioneve të astrofizikës për fëmijë, studentët e vegjël ndërkohë kanë vazhduar "udhëtimin kozmik" nga dielli në trupa të tjerë qiellorë. Në qendrën për studime kozmike në Hamburg, Prof. Robi Banerjee merret me gjenezën e yjeve. Pikërisht këtë ai synon t'ua shpjegojë fëmijëve në leksionin e tij. Ai vetë është i kënaqur me angazhimin e tij: Të ndezë dëshirën e fëmijëve për universitetin. Ndoshta edhe për astrofizikën.
Për këtë ai përpiqet që tek fëmijët të mbetet diçka edhe nga përmbajtja e leksionit. Në ekran ai projekton pamje të universit, madje përdor nganjëherë edhe terminologji në gjuhë të huaj. Fëmijët e ndjekin me interes. Pas një gjysmë ore leksion, ata mund të pyesin. Të gjithë ngrenë gishtat lart. Verena dëshiron të dijë nëse toka mund të rikrijohet sërish. Një vajzë tjetër se si ndriçojnë yjet. Lukas pyet nëse në univers ka baktere.
Kur leksioni përfundon të gjithë sulen në pult për të marrë një autogram nga profesori. Me durim Robi Banerjee siglon kartat e studentit dhe vazhdon t'u përgjigjet pyetjeve. Turma me studentë të vegjël nuk e bezdis, përkundrazi ai gëzohet se sa interes kanë fëmijët. "Është gjë e bukur të shohësh këta fëmijë me kaq dëshirë për dije. Studentët e mi nuk kanë ndonjë interes të madh të shtrojnë pyetje."