1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna kundër grave fenomen i përditshëm

Henriette Wrege8 Mars 2007

Organizata "Terre des Femmes" synon t'a ndryshojë këtë menjë fushatë sensibilizuese e cila nis më 8 mars

https://p.dw.com/p/AsCM
Pamje simbolike - dhunë në familje
Pamje simbolike - dhunë në familjeFotografi: picture-alliance/ dpa

Rreth 30 vjet më parë lëvizja e grave në Gjermani nisi të bënte publike temën e dhunës në familje, u themelua shtëpia e parë e grave. 30 vjet më vonë organizata "Terre des femmes" konstaton se çdo vit më shumë se 40.000 gra me fëmijët e tyre kërkojnë strehë në shtëpitë e grave. Një në katër gra ka përjetuar forma të dhunës në shtëpi. Ky fakt nuk ka ndryshuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve. Arsye e shpeshtë e sulmeve të dhunshme në familje apo jetën në çift është varësia financiare e grave nga "ushquesit" e tyre meshkuj. Organizata për të drejtat e grave e konsideron këtë një arsye të mjatueshme për të përshëndetur planet e ministres gjermane për familjen von der Leyen e cila kërkon ngritjen e më shumë vendeve të çerdheve. Në ditën ndërkombëtare të grave organizata Terre des Femmes nis një fushatë të re sensibilizimi të opinionit kundër dhunës ndaj grave.

Dhuna kundër grave është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut me pasoja të rënda në shëndetin shpirtëror dhe fizik të grave dhe vajzave, thotë Christa Stolle, drejtuesja e organizatës gjermane për të drejtat e grave Terre des Femmes në konferencën për shtyp dhënë të martën në Berlin:

"Në të gjithë botën gratë trajtohen si krah i lirë pune, nuse katallogu ose prostituta të detyruara. Çdo vit më shumë se 2 milionë vajza në moshë nga 5 deri 15 vjeç shiten si prostituta. Në emër të nderit gratë mbyllen në shtëpi, digjen me acid, u vihet flaka ose vriten me thikë. Në Berlin dy vjet më parë u vra me armë zjarri 23 vjeçarja Hatun Syryçy nga vetë vëllai i saj në emër të nderit. Vetëm pak javë më parë në Hamburg doli përpara gjyqit një baba i cili kërkonte të detyronte të birin të vriste motrën e tij."

Nga ana tjetër, vazhdon Christa Stolle, çdo vit të reja që jetojnë në Gjermani dhe të integruara mirë detyrohen të martohen jashtë. Kush nuk rikthehet në Gjermani brenda gjashtë muajsh e humbet statusin e lejes së qëndrimit. Këtu Terres des Femmes i bën thirrje qeverisë gjermane t'u japë vajzave që në lindje të drejtën e nevojshme të qëndrimit. Për temën krime në emër të nderit "Terres des Femmes" ka angazhuar aktoren gjermano-turke Sibel Kekilli si ambasadore të fushatës. Sibel Kekilli u bë e njohur në Gjermani me filmin artistik "Përballë murit" (Gegen die Wand). Pak javë më parë ajo u angazhua në fushatën kundër dhunës të së përditshmes turke Hyrijet. Në rradhët e gjermano-turqve Sibel Kekilli është një figurë e polemizuar:

"Nëse pas shfaqjes së filmit "Gegen die Wand" marr emaile të tilla si "ti je fajtore që na ka dalë vajza nga duart" atëherë ku shkojmë? A nuk e kuptojnë ata se sa më shumë të ushtrosh kontroll aq më e fortë është dëshira për të këputur zinxhirët? Unë mendoj se duhet folur më shumë. Babai me vajzën, nëna me vajzën, duhet folur me djemtë dhe t'i jepet fund traditës së rritjes së djemve si pashallarë."

Dhuna kundër grave dhe vajzave nuk është një problem individual dhe privat, por prek gjithë shoqërinë. Pasojat e dhunës kundër grave i kushtojnë shoqërisë gjermane çdo vit 14,8 miliardë euro për drejtësinë, policinë, trajtimin mjekësor dhe mungesat nga puna. Studimet tregojnë se deri 25% e mungesave në punë kanë si shkak dhunën në familje. Drejuesje e Terres des Femmes, Christa Stolle:

"Në 95% të rasteve të dhunës brenda mureve të shtëpisë gratë janë viktimat dhe burrat autorët. Pas kësaj përbuzjeje të qartë të grave fshihen koncepte morale që e paraqesin gruan si gjininë e dobët dhe pak vlera. Ky qëndrim argumentohet me fenë dhe manifestohen me rituale armiqësore ndaj grave si dhe në modele shoqërore të pavaforshme për gratë. Në librat fetarë ka shumë thënie dhe pasazhe në të cilat ngrihet lart shtypja e gruas. Për këtë arsye një numër i madh kulturash tolerojnë në kufij të caktuar dhunën ndaj grave si mjet për imponimin dhe ruajtjen e normave kulturore dhe familjare."

Të rrezikuara janë para së gjithash gratë, të cilat ngrenë zërin publikisht. Ja disa shembuj: avokatja berlineze Seyran Ates u godit fizikisht nga bashkëshorti i një klienteje rrugës për në gjykatë. Në Stamboll pak ditë më parë një gjykatëse u rrah rëndë. Në Pakistan një ministre u vra me armë zjarri nga fondamentalistët islamistë pasi ishte angazhuar për emancipimin e grave dhe se nuk mbulohej plotësisht me shami. Lista është shumë e gjatë.

Për të arritur ndryshimin e nevojshëm në ndërgjegje është i mirëpritur dhe bashkëpunimi burrave. Agjensia e reklamave të Rene Heymann ka ideuar pllakatin dhe materialet informuese të fushatës së re, me të cilët synohet të tërhiqet vëmendja për shkeljen e të drejtave të njeriut. Po kështu shoqata Terres des Femmes ka siguruar si ambasador të të fushatës aktorin Jochen Senf i cili thotë se ka përjetuar dhunën në shtëpi në familjen e tij. Prej kohësh ai angazhohet kundër dhunës në familje.

Tema e dhunës ndaj grave vështirë se do t'i shpëtojë vëmendjes së qytetarëve gjermanë javët e ardhshme. Pllakatet e Terres des Femmes do të vendosen në shumë vende reklamash.