1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna ndaj gruas - fenomen alarmues i shoqërisë sonë

Ulrike Mast-Kirschning24 Nëntor 2005

Dihet tashmë se në kohërat e luftës, terrorit apo dhunës, gratë kanë gjithmonë frikë se preken fizikisht. Por ajo që nuk debatohet hapur është fakti se gratë ndodhen nën rrezik edhe gjatë kohërave të qeta, brenda familjeve të tyre

https://p.dw.com/p/ArNC
Pa koment
Pa komentFotografi: dpa

Kur në shkurt të këtij viti 23 vjeçarja gjermano-turke, Hatun Sürücü u qëllua me plumba vdekjeprurës nga vëllai i saj në mes të rrugës, sepse sipas tij ajo ishte bërë "shumë gjermane", njerëzit në Gjermani mbetën të shokuar. Vetëm pak muaj më parë ishin vrarë gjithsej 8 gra në Gjermani, të gjitha për motive të ngjashme. Burra brenda familjes kishin vrarë të gjithë për arsye të "nderit", sepse këto gra ishin përpjekur të çliroheshin nga kthetërat posesive dhe poshtëruese të familjarëve të tyre. Këto gra kërkonin të jetonin në Gjermani të lira dhe të vendosnin vetë mbi jetën e tyre.

Kur përpara disa javësh në Francë filluan të digjen makina në mes të rrugës, bota reagoi sërish e shokuar. Por gratë afrikano veriore kishin vite që mundoheshin t´ja bënin të qartë botës dhunën që zotëron brenda antarëve meshkuj të familjeve të tyre dhe se kishin kohë që e vuanin në kurrizin e tyre këtë dhunë.

Ka shumë shembuj të tjerë të ngjashëm në Evropë dhe jashtë saj. Sipas Amnesty International një ndër tri gra në botë është rrahur, përdhunuar apo keqtrajtuar gjatë jetës së saj. Dhunuesit janë në shumicën e rasteve anëtarë të familjes, fqinj ose të njohur.

Familja dhe rrethi shoqëror - këto janë grupet më të vogla ku konfliktet, krizat dhe zhgënjimet lindin dhe zgjidhen. Në kohën e globalizimit këtu takohen vlerat tradicionale dhe rolet e reja me kërkesat kohore. Pikërisht këtu përjetohen marrëdhëniet mes gjinive. Por kur burrat vuajnë nën humbjen e identitetit dhe ndjenjës ndaj vetëvetes, atëherë ata e shprehin këtë humbje me dhunë ndaj "gjinisë më të dobët", duke dëshmuar kështu hapur se kanë humbur çdo sens për orientimin.

Mes ëndrrave të shumë djemve të rinj dhe realitetit rritet diskrepanca, shpjegon Christian Pfeiffer, shkencëtar gjerman mbi kriminalitetin tek rinia. Në media roli i meshkujve përshkruhet shpesh si ai i luftëtarit Rambo. Por në realitet, pra në jetën e përditshme, kërkohet një mashkull i një natyre tjetër: Komunikim dhe aftësi për empati dhe mbi të gjitha gadishmëria për të pranuar një grua si shefe.


Por kush është rritur në një rreth ku mbizotërojnë "rregullat e burrave", e ka të vështirë t´i evitojë këto rregulla kur rritet. Sidomos në një kohë kur aftësitë e meshkujve nuk vlerësohen më si dikur.

Për këtë arsye lufta kundër dhunës ndaj grave ka nevojë jo vetëm për gra të angazhuara në mbarë botën por edhe për veprimin konsekuent të qeverive, të prokurorëve, të gjykatësve dhe të të gjitha figurave të tjera që kanë një funksion idelologjik për shoqërinë. Dhe kjo luftë ka nevojë mbi të gjitha për më shumë meshkuj që nuk orientohen më sipas forcës së tyre fizike, por që janë aq të hapur dhe komunikues, aq të guximshëm dhe të ndjeshëm, sa të jenë në gjendje të krijojnë një imazh të ri mbi mashkullin në botë.