1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna ndaj gruas në Kosovë me përmasa shqetësuese

16 Qershor 2010

USAID- ia ofruar ndihma financiare për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, viktima të dhunës dhe të trafikimit, në Kosovë. IOM-i në Kosovë, do të punojë me tri organizata lokale joqeveritare për mbrojtjen e këtyre viktimave.

https://p.dw.com/p/NsHl
Fotografi: dpa

„S´mund t´i kujtoj çaste kurrë…Sidomos momenti kur i kam lanë fëmijët tuj qajtë ka qënë shumë i vështirë!…Por, kur mora vendimin për ndarje, kam qënë e rrahur nga burri sa s´mujsha me ec as me qëndru n´këmbë! Shkova te familja ime derisa të shtrëngohem pak por, fëmijët prapë kanë ik prej tij e kanë ardhë te unë. Jo. S´muj me thanë se është si sëmurë psiqikisht. Ai ësht normal, por nuk di…“.

Martesa me dashuri nga e cila kanë ardhur në jetë katër fëmijë, pas 13-të vjetësh është shndërruar në një ankth të vazhdueshëm, të cilin ajo e rrëfen me dënesë. Ndërsa, objekti dy katësh nën hije bredhash është streha e përkohshme e kësaj gruaje të re, fatin e se cilës në një formë apo në tjetrën e ndajnë edhe femra të tjera me të cilat tash sa muaj fle nën nje çati.

Qendër për strehimin e gruas dhe fëmijës-viktima të dhunës dhe trafikimit.
Qendër për strehimin e gruas dhe fëmijës-viktima të dhunës dhe trafikimit.Fotografi: Ajete Beqiraj

Dhe, numri 44 i viktimave të dhunes dhe të trafikimit gjatë tremujorit të parë të këtij viti-që është trefishi i vitit e kaluar, dëshmon për ngritjen e vetëdijes së viktimave për raportimin e dhunës-thote Drita Krasniqi, Koordinatore e Aktiviteteve të Kësaj Strehimoreje të themeluar në vitin 1993. „Meqenëse strehimorja është e tipit të mbyllur, me qëllim që viktimat te mos ndjehen të mbyllura ofrohen aktivitete, duke filluar nga trajtimi psikologjik-individual dhe në grupe, këshillimet, etj. Viktimat këtu marrin njohuri elementare për programet aplikative kompjuterike, shërbime interneti e poashtu si terapi okupuese përdorim leximin, punën e dorës, varësisht nga prirja e viktimave dhe duke e respektuar dëshirën dhe vullnetin e viktimës“.

Në Kosovë janë ngritur gjithsej shtatë qendra për strehimin e gruas dhe fëmijës-viktima të dhunës dhe trafikimit: dy në Prishtinë dhe nga një në Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe në Mitrovicë. Por, zgjidhja e problemeve të viktimave nga të gjtiha qendrat në të shumtën ka vetëm dy mundësi: „Opcioni i parë është kthimi tek familja bashkëshortore, çfarë është shumë e dhimbshme sepse viktima prapëseprapë duhet të kthehet në atë ambient ku i është nënshtruar dhunës. Ndërsa, opcioni tjetër është kthimi në familjen biologjike, ku poashtu në disa raste është shumë e vështirë, sepse familja e pranon viktimën por jo edhe fëmijët. Kështu në të shumtën e rasteve, viktima dashur pa dashur detyrohet të zgjedhë opcionin e parë“-shpjegon z.Krasniqi, sipas së cilës gjatë vitit 2009 në këtë qendër dhe në degën e saj në Mitrovice janë strehuar gjithsejt 123 viktima të dhunës, trafikimit, incestit dhe llojeve të tjera të dhunës.

Qendër për strehimin e gruas dhe fëmijës-viktima të dhunës dhe trafikimit.
Objekti i IOM-it në PrishtinëFotografi: Ajete Beqiraj

Sipas Departamentit kundër krimit të organizuar-Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës, në periudhën janar-maj 2010, janë identifikuar, asistuar apo riatdhesuar gjithsejt 18-të viktima të trafikuara, ku dominojnë femrat nga Kosova dhe Shqipëria. Mirëpo, krahas përpjekjeve të institucioneve përkatëse për luftimin e dhunës dhe të trafikimit, mbetja në liri e shumnicës së personave që shkaktojnë dhunën apo trafikimin përbën rrezik të vazhdueshëm, dëshmon viktima vetë.

„Para se me ardhë n´strehimore kam shku n´polici dhe ju kam tregu se burri m´ka kërcënu me vrasje. M´kanë thanë: “Hajt se ai me pas dashtë me t´vra, t´kish vra deri tash“.

Agjensia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka ofruar për herë të dytë radhazi rreth 180,000 dollarë. Programi Kundër Trafikimit në Kosovë, është lancuar në shtator të vitit 2008 dhe implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) -Zyra në Kosovë në bashkëpunim me Akademinë për Zhvillim Edukativ (AED), me ç´rast është nënshkruar marrëveshje me tri OJQ lokale, të cilat merren me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve-viktima të dhunës dhe të trafikimit.

Petrit Sopjani, drejtor i Programit Antitrafikim të Kosovës vjen me synimet: “Programi synon ngritjen e kapaciteteve, qëndrueshmërinë, llojshmërinë dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve për viktimat e trafikimit apo viktimat potenciale të trafikimit,"- thotë z.Sopjani, sipas të cilit prej vitit 1999 deri nës hkurt të vitit 2010 nga IOM janë asistuar 474 viktima të huaja dhe 159 viktima kosovare të dhunës dhe të trafikimit“.

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, publikuar të hënën, Kosova është burim tranzit dhe vend i destinimit të trafikimit për femra dhe fëmijë. Ndërsa, programi tre vjeçar kundër trafikimit(KAP) mbështet shërbimet integruese për viktimat e trafikimit dhe rrit pjesëmarrjen e komunitetit në parandalimin e dhunës dhe të trafikimit të qenieve njërëzore në Kosovë.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama