Dhuna politike: Steinmeier takon viktimat dhe të afërmit
25 Shtator 2024Nëntë persona, nëntë histori dhune politike, që kanë përjetuar personalisht apo janë të prekur sepse babai, burri ose vëllai i tyre është vrarë. Përfaqësuesit e familjeve i ftoi për bisedë presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, në një tryezë të rrumbullakët në rezidencën e tij zyrtare në Berlin.
"Dhuna politike nuk prek secilin por është një çështje që duhet ta trajtojmë të gjithë, sepse kjo dhunë kërcënon mënyrën tonë të jetesës, kërcënon lirinë tonë”, tha presidenti në fjalën e tij përshëndetëse. Në të majtë të tij qëndron Irmgard Braun-Lübcke, e veja e kryetarit të bashkisë në Kassel, Walter Lübcke, i cili u vra nga një ekstremist i krahut të djathtë në vitin 2019. Ajo tregoi se çfarë e shqetëson: "Kjo gjuhë brutale dhe klima agresive që është krijuar, klima ku kundërshtari politik nuk është partner për diskutim, por armik".
Shumica e të prekurve janë harruar
Emri Walter Lübcke mbahet mend, tha presidenti. "Por vëmendja e publikut shpesh përqendrohet shumë tek autorët, shpesh akoma pa u zbardhur një sulm ndodh tjetri që tërheq vëmendjen e të gjithëve."
Astrid Passin mund ta konfirmojë këtë. Babai i saj u vra nga një vrasës islamik që u fut me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Breitscheidplatz në Berlin në vitin 2016. "Keni ndjenjën se shumë nga të prekurit janë zhdukur në errësirën e harresës," tha Passin.
Përfaqësuesi i qeverisë dëgjon me kujdes
Të drejtat e viktimave duhet të dalin më shumë në plan të parë, kërkon Passin. Qeveria federale ka emëruar një përfaqësues për viktimat e sulmeve terroriste: Pascal Kober, deputet i Bundestagut. Liberali (FDP) dëgjonte me vëmendje ndërsa Said Etris Hashemi raportoi mbi pasojat e atentatit nga një ekstremist i djathtë dhe racist në Hanau në vitin 2020. Vëllai i Hashemit u vra, e ai vetë u plagos rëndë. Për këtë ai ka shkruar një libër për përvojat e tij. Ai theksoi se përfaqëson njerëz me prejardhje migrante dhe njerëz që janë bërë viktima të dhunës ekstremiste të djathtë.
Populistët dhe rreziqet
"Sfidat me të cilat më është dashur të përballem unë, janë diçka me të cilën duhet të përballen shumë njerëz në këtë vend”, u shpreh Hashemi. Përvojat që familjarët e viktimave të sulmit kishin me autoritetet shtetërore ishin katastrofike. Në të njëjtën kohë, pati shumë solidaritet nga shoqëria: Shumica dërrmuese e këtij vendi nuk është e djathtë, shumica është demokratike”.
Por nëse qendra demokratike fillon të luajë sipas rregullave të bandave populiste, atëherë shfaqen edhe rreziqet. Kjo është arsyeja pse ai i kërkon presidentit që t'i dërgojë një mesazh të fortë qendrës demokratike për të "zhvilluar debate produktive".
Kërcënohet edhe shtypi
E veja e kristiandemokratit të vrarë, Walter Lübcke u shpreh, se mediat sociale të marrin më shumë përgjegjësi. Me fjalë të tjera, ato platforma në të cilat urrejtja dhe dhuna propagandohen në një shkallë masive. Për këtë flet gazetarja Franziska Klemenz, e cila u kërcënua dhe kërcënohet e ofendohet vazhdimisht, sidomos gjatë kohës që ishte në "Sächsische Zeitung”.
Përvojat e para ajo i pati në demonstratat e lëvizjes islamofobike Pegida në Dresden, por edhe në lojërat e futbollit: hedhje të shisheve, gaz, dhunë seksuale. "Ata e dinë shumë mirë se kush je”, thotë Klemenz, duke aluduar tek sulmet e mundshme. Ajo tani punon në Berlin, por vazhdon të shqetësohet për kolegët e saj në shtypin rajonal.
"Çfarë ndodh nëse askush nuk shkon në demonstrata kundër këtyre fenomeneve? Çfarë ndodh nëse shtypi lokal tërhiqet? Nëse rritet korrupsioni, ekstremizmi i krahut të djathtë - dhe pjesëmarrja në votime zvogëlohet..."
Armiqësia ndaj medias dhe politikës ka pasur prej kohësh pasoja të dukshme. Në shumë vende për shkak të frikës askush më nuk dëshiron të kandidojë për poste publike. Njerëzit po tërhiqen - Katrin Haben Schaden nga partia ekologjiste është një prej tyre. Ajo është tërhequr në vitin 2023 dhe për këtë tani flet hapur.
Kërcënimi: "Unë e di ku jetoni"
Pas një zhvillimi dhe prononcimi të saj, asaj iu la të kuptohej, se nuk duhet të ndihej më kurrë e sigurt. Haben Schaden duhej të dëgjonte fjali si: "Unë e di saktësisht se ku jetoni. E di si quhen fëmijët tuaj".
Matthias Ecke nuk është trembur nga kërcënimet verbale dhe nuk mendon të dorëzohet as pas një sulmi ndaj tij. Eurodeputeti u plagos rëndë në fytyrë nga katër të rinj gjatë fushatës zgjedhore në Dresden në maj 2024 dhe iu desh t'i nënshtrohej një operacioni. Megjithatë, ai u shfaq shumë i qetë në tryezën e rrumbullakët të presidentit federal për dhunën politike.
"Kjo nuk më frikëson mua personalisht. Por kam frikë nga shoqëria në të cilën po rriten fëmijët e mi", tha socialdemokrati. Është e djathta ekstreme ajo që krijon këtë klimë, shpjegon Ecke. "Ka një mbështetje relativisht të lartë për aktorët e ekstremit të djathtë, gjë që e kemi parë tani në zgjedhjet shtetërore në Lindje".
41-vjeçari i referohet Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila fitoi rreth 30 për qind e më shumë në zgjedhjet në tri lande në Lindje. Në fillim të shtatorit, kjo parti që u klasifikua si "parti ekstremiste e krahut të djathtë" nga disa zyra të mbrojtjes kushtetuese në nivel të landeve, fitoi shumë vota.
Të shtëna me armë zjarri në zyrën e një deputeti
Zyra e Andreas Schumann në Magdeburg (Saksonia-Anhalt) madje u qëllua me armë pas grafiteve dhe thyerjes së xhamive. Për të mbrojtur veten dhe ekipin e tij, ai është zhvendosur dhe tani është vendosur në një vend të mbyllur me një derë sigurie dhe kamera. U detyrua të fshihet, që për te është "dëshpëruese," thotë Schumann. Me shfaqjen e AfD-së, klima politike është bërë dukshëm më e ashpër.
Sulmuesit që shqelmuan në kokë oficeren e policisë Kim Pfuhl ndërsa ajo ishte e shtrirë në tokë në qershor 2024, ndoshta erdhën nga ky grup. Pfuhl e përshkruan situatën kërcënuese duke thënë se ajo ndihej e pafuqishme: "Çfarë të bëj tani? A do ta mbijetoj?" Në fund e shpëtoi një koleg.
Studenti hebre Lahav Shapira u rrah keq dhe përfundoi në spital nga një koleg student në Berlin. Pas sulmeve terroriste të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftës së mëtejme në Lindjen e Mesme janë shtuar ngacmime e fyerjet ndaj studentëve hebrenj në Gjermani. Pavarësisht kësaj, ai mendon se nuk është bërë asgjë për t'i mbrojtur ata. Shapira kritikon përgjegjësit në veçanti në Universitetin e Lirë të Berlinit.
Dhuna e motivuar politikisht është në rritje prej vitesh
Historia e tij është historia e dhunës politike, e cila ka vite që është në rritje në Gjermani. Këtë e dëshmojnë edhe shifrat e Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA). Sipas saj, numri i krimeve të dhunshme po rritet në të gjitha fushat – si tek ekstremizmi i djathtë, ekstremizmi i majtë dhe islamizmi.