Dhjetëra të vdekur nga shpërndarja e protestave në Kajro
14 Gusht 2013Gjatë shpërndarjes së protestuesve në dy kampet e vendosura në Kajro kanë vdekur dhjetëra ithtarë të presidentit të rrëzuar, Mohamed Mursi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë humbur jetën 56 njerëz dhe më shumë se 520 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në kampin më të madh ndër dy kampet në Nasr-City në verilindje të Kajros forcat e sigurisë kanë përdorur gazin lotsjellës. Helikopterët dhe automjete të ushtrisë kanë qenë gjithashtu në veprim. Më parë policia kishte bllokuar disa rrugë përreth. Ministria e Brendshme deklaroi, se për të dy kampet në sheshin Al-Nahdha në lagjen Giza para xhamisë Rabea al-Adavija në Nasr-City ka ndërkohë vetëm një dalje të vetme.
Disa protestues tërhiqen
Një portal egjiptian lajmesh njoftoi se disa prej islamistëve vendosën të tërhiqen, pasi u njoftua se evakuimi i dy kampeve ishte bërë i pashmangshëm. Sidomos gratë ishin larguar nga çadrat që heret në mëngjes. Pjesëmarrësit e tjerë të aksioneve të protestave po bëjnë rezistencë. Ata kanë zënë pozicion në barrikadat në hyrje, për të zmbrapsur sulmet e mundshme të policisë.
Fillimisht policia donte ta shmangte shpërdarjen e kampit me dhunë, nga frika e numrit të lartë të viktimave në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe islamistëve.
Trazira
Në shumë rrugë të Kajros gjatë natës pati përleshje në mes islamistëve, forcave të sigurisë dhe kundërshtarëve të Mursit. Policia përdori gaz lotsjellës për të ndarë kundërshtarët. Ne përleshje u vra të paktën një person. Në lagjen Gizeh është qëlluar me armë. Por sipas Vëllazërisë Myslimane protestuesi ishte qëlluar nga policia civile.
Vëllazëria Myslimanë kërkon rivendosjen e ish-presidentit Mursi të rrëzuar me 3 korrik. Ndërkohë udhëheqja e re e konsolidoi pushtetin edhe në provinca. Para presidentit të përkohshëm Adli Mansur bënë betimin në detyrë 20 guvernatorë të rinj. Guvernatorët e emëruar nga Mursi u zevëndësuan të gjithë me përjashtim të katër vetëve. Disa bloger egjiptianë u ankuan, se në mesin e guvernatorëve të rinj janë shumë ish-ushtarakë dhe njerëz, që kanë bërë një karrierë nën regjimin e presidentit Hosni Mubarak, të rrëzuar në vitin 2011.