Dick Marty - Misioni EULEX nisi hetimet paraprake
2 Shkurt 2011Zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë, thonë se prokurorët e këtij misioni nuk kanë ndonjë person të caktuar që janë duke e hetuar në lidhje me pretendimet e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili në raportin e tij thotë se strukturat e larta të ish UÇK-së, janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, përshirë edhe në trafikimin me organe të njërëzve. Në këtë raport përmendet emri i Hashim Thaçit, kryetar i PDK-së, i cili së shpejti pritet të formojë qeverinë e re të Kosovës. Misioni EULEX, në fundjavën e shkuar tha se pohimet e zotit Dik Martit i merr seriozisht dhe në këtë linjë ka nisur hetimet paraprake. Misioni EULEX-i u bën thirrje të gjitha organizatave dhe individëve, duke përfshirë edhe zotin Dick Marty-n, që t'i paraqesin të gjitha dëshmitë që i kanë në lidhje me këto akuza të rënda.
Çfarë nënkuptohet me hetime paraprake
Përmes një letre elektronike për DW, zyrtarë të misionit EULEX bëjnë të ditur se megjithëse ky mision ka nisur hetime paraprake, ato nuk drejtohen kundër ndonjë personi të veçantë, pra nuk ka persona të caktuar që janë duke u hetuar. Sipas tyre, që të nisë një hetim zyrtar për ndonjë pohim, duhet të ketë "dyshime të arsyeshme” që një krim serioz të jetë kryer dhe të pandehurit të jenë të identifikuar. Që të arrihet deri te "dyshimi i arsyeshëm" si dhe të identifikohen të pandehurit, duhet të bëhet një hetim paraprak. Sipas ligjit në Kosovë, një hetim paraprak duhet të bëhet nëse ka pohime për kryerje të krimeve të rënda. Raporti i Dik Martit si dhe deklaratat e tij përbëjnë "pohime për akuza të rënda".Në bazë të kësaj, misioni EULEX-i ka filluar një hetim paraprak. Por, ky hetim sipas misionit EULEX, mund të kthehet në hetim zyrtar nëse identifikohen individët si dhe ka ”dyshime të arsyeshme”, shpjegon për programin tonë misioni EULEX.
Ekspertët: Hetuesit evropianë të kujdesshëm me publikun
Sipas ekspertëve për çështje ligjore, megjithëse EULEX-i ka nisur hetimet paraprake për akuzat që përmenden në raportin e Dik Martit, në fakt ky mision ka filluar hetimet, mirëpo, për shkak të natyrës së misionit, hetuesit evropianë dëshirojnë të jenë të kujdesshëm në deklarimet për publikun. Kështu, për programin tonë, Ariana Qosaj, eksperte ligjore në Institutin për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED thotë:
“Hetime paraprake thuhet që të mbetet një lloj paqartësie apo përgjithësimi për faktin që nuk duan që të bëhet ndonjë etiketim specifik i emrave ashtu siç përmenden në raportin e Dik Martit. Misioni EULEX që nga vendosja e tij në Kosovë ka treguar se është në një situatë modus ndërmjet veprimeve ekzekutive që duhet t'i kryej dhe ndërmjet politikave që imponohen nga Brukseli”.
Pas raportit Dik Marti, Thaçi para formmimit të qeverisë së re
Sipas Qosaj, Hashim Thaçi, i cili përmendet në raportin e Dik Martit, ndodhet në një situatë jo të mirë për faktin që ai është para krijimit të qeverisë së re të Kosovës dhe rrjedhimisht hetimet paraprake ndikojnë në kredibilitetin e tij.
“Do të shohim që diçka do të ndikojë në kredibilietin dhe autoritetin e zotit Thaçi, në kuptimin e asaj që do të jetë i matur në krijimin e qeverisë, e cila edhe ashtu do të jetë mjaft problematike sepse ka dalë nga një seri rrethanash ku ka pasur mjaft akuza për manipulim të zjedhjeve”, thotë Ariana Qosaj.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi