Të boshatisësh llogarinë bankare apo jo? Të qëndrosh apo të largohesh?
28 Mars 2013Vendimi është i vështirë për Dimitri Vargosiolis. Zanatçiu ka 8000 euro në xhirollogarinë e tij. A duhet t'i tërheqë të gjitha, apo jo? "Në qoftë se i marr paratë, atëherë duhet t'i fsheh diku në shtëpi", thotë ai. "Në qoftë se mi vjedh njeri, mbetem pa para. E njëjta gjë ndodh, edhe nëse i lë në bankë." Ai dhe miqtë e tij nuk dinë, si t'ia bëjnë.
Ata janë ulur së bashku në sallonin e berberit Tomis Christodoulous. Aty ka një karrige, një pasqyrë dhe shumë fotografi të zverdhura në mure. Ka kohë të mjaftueshme për të biseduar. Sepse që kur janë mbyllur bankat, askush nuk ka më para për të shkuar tek berberi. Paratë nuk mjaftojnë dhe salloni i Christodoulous ka mbetur bosh.
Çfarë të bëjmë? Christodoulous nxjerr buzukun dhe i bie, dy të tjerët e shoqërojnë duke kënduar. Shumë qipriotë, që kam takuar ditët e fundit në ishull në bisedat me ta kam konstatuar, se janë çuditërisht të qetë. Kriza po përkeqësohet gjithnjë e më shumë, por në kafenetë në qendër të qytetit nuk gjen vend të lirë. Në njërën prej kafeneve hyj në bisedë me dy djem qipriotë. "Unë jam specialist për tatimet", thotë njëri, "unë bëj qarkullimin e parasë së patatuar", thotë tjetri. Unë mendoj se po bën shaka. Këdo që kam pyetur ditët e fundit për të ardhura ilegale, më ka thënë se një gjë e tillë nuk ekziston në Qipro.
Por djali i ri në kafe thotë: "Nuk bëj shaka, këtë punë bëj me të vërtetë". Çfarë do të bëjë ai tani pas dorëzimit të detyruar të depozitave bankare dhe kontrollit mbi qarkullimin e kapitalit? "Nuk ka rëndësi, paratë e shumicës së klientëve të mi janë të sigurta", thotë ai dhe shton: "Në qoftë se nuk do të mund të depozitoj më këtu para të patatuara, atëherë do të shkoj ndoshta në Maltë, ose në Luksemburg. Apo në Gjermani. Si janë mundësitë atje për t'ië depozituar paratë e patatuara?" Për këtë unë kuk kam përgjigje.
Mendime të ndryshme
Për Gjermaninë, gjermanët dhe qeverinë e tyre flitet këto ditë shumë në Qipro. Disa, si një biznesmen i vjetër, i cili ka një dyqan mode për gra në shëtitoren kryesore, Ledras, kritikojnë qeverinë gjermane. "Ata po i lënë në baltë miqtë e tyre evropianë", thotë ai. Dhe: "Ata duan të kontrollojnë një herë Qipron, pastaj Evropën dhe pastaj të gjithë botën." Por ka edhe të tjerë, që mendojnë ndryshe për rolin e qeverisë gjermane. "Ata tregojnë, se si duhen bërë punët në rregull. Gjermania është e suksesshme dhe e fortë", thotë një tjetër. "Prej saj duhet të marrë shembull qeveria jonë."
Shumë të rinj janë të zemëruar me qeverinë e tyre. Ata kanë përfunduar studimet e larta, por nuk shohin më të ardhme në vendin e tyre. Çdo ditë dalin mijëra vetë në rrugë dhe demonstrojnë me të madhe, se qeveria po e lë vendin të rrënohet.
Në fakt ekonomët parashikojnë se vendi do të ketë një recesion të gjatë. Shumë njerëz do të humbasin vendin e punës, thonë ekonomët. "Ne nuk duam të largohemi nga Qiproja", thotë një vajzë e re, që sapo ka filluar të studojë. "Por ne nuk na mbetet gjë tjetër." Ajo do të shkojë diku tjetër pas studimeve. "Ndoshta në Gjermani", shton ajo. Qipros do t'i duhet shumë kohë, për t'u shplodhur nga kriza dhe pasojat e saj.