Diplomati i lartë amerikan në Kajro
15 Korrik 2013Sekretari shtetëror në Departamentin Amerikan të Shtetit, William Burns (lart në foto) do të takojë nga dita e hënë (15.07.2013) zyrtarë të lartë të qeverisë kalimtare, të ushtrisë dhe të shoqërisë civile, tha një zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit në Uashington. Burns do të theksojë në këto takime se sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të arrihet krijimi i një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe duhet të parandalohet dhuna. Zëdhënësja nuk ka njoftuar nëse eksperti i dëshmuar për Egjiptin, Burns do të takohet edhe me përfaqëuses të Vëllazërisë Myslimane.
SHBA deri tani kanë reaguar të përmbajtura ndaj largimit nga pushteti të presidentit Mohamed Mursi dhe i janë shmangur qëllimisht që rënien e tij ta përshkruajnë si një grusht shteti ushtarak. Një klasifikim i tillë në bazë të ligjit amerikan do të thoshte që SHBA të ndërpresin ndihmat ushtarake për Egjiptin që çdo vit kapin shumën prej 1.3 miliard dollarë.
Vëllazëria Myslimane paralajmëron vazhdimin e protestave
Ish presidenti Mursi i cili vjen nga radhët e Vëllazërisë Myslimane u rrëzua nga pushteti më 3 Korrik nga ushtria. Paraprakisht miliona egjiptianë në disa demonstrata masive, pjesërisht të përgjakshme, kishin kërkuar fundin e sundimit të tij të perceptuar si autoritar. Vëllazëria Myslimane ka kërkuar rikthimin e Mursi-t si presidenti i parë i zgjedhur me votën e lirë të popullit në Egjipt. Organizata islamiste ka paralajmëruar demonstrata të mëtejshme për këtë të hënë.
Sipas të dhënave të ushtrisë Mursi ndodhet "për mbrojtjen e tij në një vend të sigurt", me sa duket në një kazermë. Drejtësia egjiptiane ka nisur hetimet gjithëpërfshirëse kundër ish-presidentit dhe Vëllazërisë Myslimane. Ndër të tjera dyshohet për spiunazh, për thirrje për vrasjen e protestuesve dhe për keqmenaxhim ekonomik. Gjyqësori ngriu pasuritë e 14 udhëheqësve të lartë islamistë. Nga këto masa është prekur edhe kreu i Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Badie.