Tendosje para shënimit të ditës së Republikës Srpska
9 Janar 2024Në prag të një festimi tjetër të Ditës së Republika Srpska, tensionet politike janë rritur në nivelin më të lartë deri më tani. Për shkak të kësaj, marrëdhëniet politike janë të tensionuara brenda Bosnjë-Hercegovinës, por edhe ndërmjet zyrtarëve të entitetit serb dhe komunitetit ndërkombëtar. E veçanta e kësaj të fundit është njoftimi i fluturimit të avionëve luftarakë amerikanë F-16 mbi B-H gjatë ditës (8 janar), në prag të Ditës së RS, e cila do të festohet nesër në Banja Luka. Edhe pse vitin e kaluar në maj, avionët amerikanë bënë fluturime të ulëta mbi Sarajevë dhe disa qytete të tjera të B-H, në shenjë partneriteti mes B-H dhe SHBA-së, është interesante se kjo po ndodh tani një ditë para festimit në Banja Luka.
"Edhe pse nuk jam i informuar zyrtarisht se aeroplanët amerikanë F16 do të fluturojnë mbi Republikën Srpska dhe Bosnje-Hercegovinë më 8 janar, zyrtarisht jam i informuar se nuk kanë pëlqimin e Presidencës së B-H për këtë. Besojmë se ata me prezencën e tyre do ta përkrahin kremtimin e Ditës së Republikës Serpska”, ka shkruar Dodik në rrjetin social X, në përgjigje të këtij njoftimi.
Kundërshtimet e festimeve
Në fund të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës, pas ankesës së anëtarit të atëhershëm boshnjak të Kryesisë, Bakir Izetbegoviq, mori një vendim duke e shpallur jokushtetues nenin e Ligjit të Entitetit për Festat që lidhet me kremtimin e Ditës së RS-së. Gjykata konstatoi se Shën Stefani, i cili gjithashtu perceptohet si një festë ortodokse, festohet gjithashtu në atë kohë.
Gjykata nuk e kontestoi festimin e Ditës së Republikës Serpska, por vetëm datën e 9 janarit, sepse në atë ditë të vitit 1992, Kuvendi i Popullit Serb në Bosnjë-Hercegovinë miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së populli serb në Bosnjë-Hercegovinë.
Kjo datë deri më tani është kundërshtuar tri herë në Gjykatën Kushtetuese. Por pavarësisht nga vendimet, kjo ditë çdo vit festohet, ndonëse paralajmërimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë janë çdo vit më të "ashpra”.
Dy paralajmërime
"I takon autoriteteve të zbatimit të ligjit, Zyrës së Prokurorit të B-H dhe policisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm të duhur të përcaktuar me ligj, veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë dhe pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen ose organizimin e 9 janarit," tha ai në dhjetor. Përfaqësuesi i lartë në B-H Christian Schmidt paralajmëroi, se mosbindja ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën një vepër penale.
Megjithatë, Banja Luka zyrtare as nuk i respekton dhe as nuk i publikon vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës që nga mesi i vitit të kaluar, pasi Asambleja Kombëtare miratoi një ligj që përcaktonte atë. Në atë "paketë” kishte edhe një ligj që lidhej me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë, por 3 ditë më parë Schmidt u dërgoi edhe një herë një mesazh autoriteteve të RS.
"Sfidimi i rendit kushtetues-juridik dhe demokracisë ka pasoja. Përfaqësuesi i Lartë i bën thirrje koalicionit të udhëhequr nga SNSD që të mos veprojë në dëm të Republikës Srpska dhe qytetarëve të saj”, njoftoi OHR. Schmidt deklaroi para një viti se 9 janari më nuk do të festohet ashtu siç festohej deri më tani.
Por kjo ditë do të shënohet tani për herë të parë madje edhe me një paradë nate, në vend të paradës ditore, si vitet e kaluara. Ministri i Mbrojtjes në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez, njoftoi sanksione për të gjithë anëtarët e forcave të armatosura të Bosnjë-Hercegovinës, të cilët do të marrin pjesë në "përkujtimin e ditës jokushtetuese të RS" .
900 pjesëtarë të MPB të RS
"Nëse të gjithë sytë janë përqendruar vetëm te kjo Ministri dhe Forcat e Armatosura , atëherë nuk kemi arritur asgjë. Kjo kërkon reagimin e të gjitha ministrive, autoriteteve gjyqësore – Gjykatës dhe Prokurorisë, si dhe OHR”, tha Helez. Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës Srpska Sinisha Karan ftoi qytetarët të marrin pjesë në paradë dhe të "festojnë së bashku Ditën e Republikës Serpska, në paqe dhe me dinjitet".
Në paradë do të marrin pjesë mbi 900 anëtarë të MPB-së, e thuhet se edhe të gjitha institucionet, si dhe sektori civil, do të kontribuojnë në festimin e Ditës së RS gjatë paradës. Sipas informacioneve jozyrtare, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare u kanë kërkuar përmes kanaleve diplomatike përfaqësuesve të vendeve fqinje që të mos marrin pjesë në festën e Ditës së RS në Banja Luka. Edhe pse e prisnin pjesëmarrjen e kreut të shtetit të Malit të Zi, presidenti Jakov Milatoviq ka deklaruar se ai nuk do të marrë pjesë në këtë festim.
Mali i Zi dhe RS
„Ju e dini qëndrimin e Malit të Zi ndaj tërësisë së B-H, e ky është edhe qëndrimi im. Pas vizitave në Beograd, Zagreb dhe Lubjanë, unë do të vizitoj edhe Sarajevën nga fundi i marsit apo në fillim të prillit", tha Milatoviq duke shtuar se në Banja Luka nuk do të shkojë.
Ky qëndrim nuk u pëlqye nga Milorad Dodik, president i RS, i cili tha se nuk i respekton ata që kanë qëndrime negative ndaj RS. “Është krejtësisht e panevojshme që ai të justifikohet me angazhimet për ruajtjen e tërësisë së B-H. RS që nga Dejtoni është një pjesë integrale e Bosnjë-Hercegovinës dhe ka 49 për qind të territorit të saj”, tha Dodik duke shtuar se "... ai që na respekton, ne do ta respektojmë, ai që nuk na respekton, as ne nuk kemi arsye ta respektojmë”.
Delegacioni i Serbisë pa Vuçiqin
Kryetari i Kuvendit të Republikës Serpska, Nenad Stevandiq, tha se RS "nuk do të lëkundet përballë kërcënimeve", por do ta festojë 9 janarin "në mënyrë madhështore në prani të personaliteteve të shumta nga rajoni dhe Evropa, duke përfshirë edhe kryeministrin hungarez Viktor Orban”. Përveç Orbanit, në festë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të ambasadës ruse në B-H, ndërsa ardhjen ka bërë të ditur edhe një delegacion serb. Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të marrë pjesë në këtë festim më 9 janar.
Misioni i OSBE-së në B-H njoftoi se festimi i 9 janarit si Dita e Republikës Srpska shkel jo vetëm Kushtetutën e B-H, por edhe Kushtetutën e RS. Misioni i OSBE-së i bëri thirrje qeverisë së RS që të respektojë plotësisht shtetin e së drejtës, i cili duhet të përfshijë respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës si përfundimtare dhe detyruese, e kjo gjykatë ka ndaluar festimin.