Dita ndërkombëtare e SIDA-s - Të jetosh në Gjermani me HIV
1 Dhjetor 2012"Dy tri vitet e ardhëshme mund t'i planifikoj, kjo është realiste, por për të planifikuar në perspektivë është ende shpejt", thotë Manny. Eshtë e habitshme se sa shpesh përdoren gjatë një bisede të shkurtër fjalët "e ardhme" dhe "perspektivë" me një të infektuar me HIV. Më parë ai ka pasur frikë për të ardhmen dhe mendonte, se nuk do ta arrinte moshën 30 vjeç. "Atëherë unë jetoja vetëm çastin", kujton Manny, tek i cili para 20 vjetësh u konstatua diagnoza HIV-pozitiv.
Ai ishte atëherë 23 vjeç - "naiv, i verbuar nga dashuria", siç thotë ai: "Isha lidhur me një të diagnostikuar me HIV-pozitiv dhe e dija këtë. Kur mjeku më komunikoi diagnozën time, fillimisht u mundova të mos flas lidhur me këtë", rrëfen Manny. Vetëm një gjysmë viti më vonë, pas ndarjes nga partneri i tij, ai nisi të shtrojë pyetjen: "Çfarë do të bëhet me mua në të ardhmen?"
Ai u bë një kujdestar i angazhuar për të moshuarit, portreti i një pllakate të njohur të fushatës në mbarë Gjermaninë për ditën ndërkombëtare të SIDA-s dhe ajo çka është më e rëndësishmja ai u bë një optimist i matur.
Një garë me kohën
Në Gjermani jetojnë sot rreth 78.000 njerëz të prekur nga virusi i dobësimit të imunitetit human (HIV). Në vitin 2011 numri infeksioneve të reja me HIV pati një rritje të lehtë me 3310 vetë. Virusi dobëson sistemin e imunitetit: Ka rreth 30 sëmundje, të cilat shpërthejnë në valën e infeksionit dhe që mund të çojnë tek smëundja e SIDA-s. Normalisht flitet për "SIDA", kur një i infektuar me HIV preket nga dy prej këtyre sëmundjeve.
"Para 20 vjetësh pothuajse nuk ka pasur asnjë trajtim mjekësor ndaj infeksionit HIV. Ka pasur të vetmen substancë aktive, e cila si e vetme kishte efekt të kushtëzuar, çka do të thotë që e zgjaste kohën e mbijetesës fare pak", shpjegon Ulrich Heide nga fondacioni i SIDA-s në Bon. Asokohe mesatarja e mbijetesës për të sëmurët me SIDA ishte midis 22 dhe 24 muajve. Për herë të parë në vitin 1996 u vunë në përdorim preparate të kombinuara, të cilat e ngadalësonin në forma të ndryshme përhapjen e virusit.
"Fillimisht unë pata fat, që sistemi im i imunitetit funksiononte mirë. Pesë deri në gjashtë vjet pasi tek unë u konstatua infeksioni, unë fillova me terapinë e parë", kujton Manny. Asokohe atij i duhej të merrte tri herë në ditë tableta: "Me duhej ta respektoja me përpikmëri orarin e marrjes së medikamenteve. Një orë përpara nuk duhet të haja", thotë Manny. Sot ai merr vetëm dy tableta në mëngjes.
"Ashtu si tek substancat e tjera vepruese edhe tek preparatet kundër virusit HIV ndërkohë janë zhvilluar edhe elementët e rezistencës tek virusi", thotë Ulrich Heide nga fondacioni i SIDA-s në Bon. Kjo do të thotë që virusi fiton imunitet kundrejt preparateve të ndryshme - me pasojë, që medikamentet nuk kanë më efekt tek pacienti. "Kjo është një garë mes zhvillimit të mëtejshëm të terapisë dhe krijimit të rezistencës", shpjegon eksperti në intervistë për DW. Ndërsa të infektuarit me HIV në Gjermani kanë mundësi të trajtohen me sukses dhe të jetojnë me sëmundjen, diagnoza në shumë vende të tjera të botës vazhdon të jetë një dënim i sigurtë me vdekje.
Në kulmin e jetës
Shumica e të infektuarve me HIV në Gjermani janë plotësisht të aftë për punë, një e treta e tyre vazhdojnë punën ose ndjekin kurse për kualifikim profesional. Por: "Vetëm një pakicë mund ta pranojë hapur sëmundjen në vendin e punës", thotë Heide. Manny erdhi një moment që e kishte të vështirë ta mbante të fshehur sëmundjen. Ai vendosi një ditë, që t'ia tregojë të fshehtën për sëmundjen e tij sipërmarrësit. Ndërkohë të gjithë kolegët e dinë - edhe seniorët, për të cilët ai kujdeset. "Një banor i azilit të të moshuarve më tha, se sa e vlerëson guximin dhe angazhimin tim - dhe se sa i gëzuar është, që unë jam kujdestari i tij. Kjo më gëzon."
Opinioni shoqëror ka tashmë dijeni për HIV /SIDA, mendon Ulrich Heide, por megjithatë ende ka stigmatizim dhe përjashtim në raste të veçanta. Sa i përket sensibilizimit Gjermania krahasuar me shumë vende të tjera - edhe në Evropën Perëndimore - është mjaft e avancuar. Kuota e infeksionit është më e ulët se në Holandë apo në Zvicër. Kjo ka të bëjë me programet e ndryshme për sensibilizimin që aplikon Gjermania qysh prej 25 vjetësh.
Përpara 15 vjetësh mbi 30 përqind e të pyeturve janë shprehur, "SIDA është edhe për mua një sëmundje e rrezikshme". Ndërsa tani vetëm pak e thonë këtë. "Kjo bën që edhe masat profilaktike të zbehen e ndoshta në të ardhmen mund të kemi probleme më të mëdha", druhet Ulrich Heide.
Dita botërore e SIDA-s - Një shkas për të reflektuar
Manny gjatë këtyre ditëve është mjaft i angazhuar - si ambasador i fushatës së këtij viti 'Dita Botërore e SIDA-s' atij i duhet të marrë pjesë në shumë aktivitete dhe të zhvillojë biseda. "Dikujt, që ka mësuar për infeksionin e vet para pak kohësh, unë i bëj të qartë, se ky nuk është fundi, por që me këtë mund të jetohet dhe se ai nuk duhet të vetëizolohet."
Manny ka edhe një mesazh për opinionin shoqëror: "Nuk duhet të kesh frikë prej nesh. Ka rrugë të ndryshme të përhapjes së infeksionit - ai nuk ndodh duke shtrënguar duart. Ne nuk jemi të rrezikshëm, por jemi njerëz si gjithë të tjerët."