Ditët e para të 2008-ës me mot te keq dhe bllokime rrugësh
2 Janar 2008Fillimi i këtij viti ka shënuar ulje të temperaturave dhe reshje dëbore. Si pasoje e ngricave është vështirësuar kalimi i automjeteve në aksin rrugor Tiranë - Elbasan, ku mjetet po qarkullojnë me zinxhirë për arësye sigurie. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, shërbimet e policisë rrugore janë në gatishmëri për normalizuar trafikun, sikundër dhe për të parandaluar raste të aksidenteve nga moti i keq. Një segment problematik mbetet dhe ai që të çon në Doganën e Qafë- Thanës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku nga ngrirja e dëborës janë krijuar terrene rrëshqitëse, që shkaktojnë rreziqe serioze për automjetet.
Sipas departamentit te emergjencave në Ministrinë e Brendshme, rrjeti i rrugëve lokale në mjaft zona rurale të vendit mbetet i bllokuar, veçanërisht në pjesën verilindore në rajonet e Pukës, Kukësit, Dibrës, Hasit, Tropojës etj. Sipas vlerësimeve që kanë bërë ekspertët e departamentit, gjendje më e rënduar është në Pukë, ku izolimi nga dëbora dhe ngricat ka ndodhur jo vetëm në pjesët rurale, por dhe pranë qytetit të Fushë Arrëzës.