1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dilema e G20-s - Do të ketë luftë tregtare?

20 Mars 2017

Në samitin e G20 në Baden-Baden është dërguar një mesazh i qartë: Në të ardhmen marrëveshjet me SHBA do të jenë shumë më të vështira!

https://p.dw.com/p/2ZVOh
Deutschland G20-Finanzministertreffen in Baden-Baden
Ministri amerikan i Financave, Steven MnuchinFotografi: Reuters/K. Pfaffenbach

Wolfgang Schäuble e kishte paramenduar ndryshe. Kur nikoqiri i samitit të G20 hapi takimin e minsitrave të Financave, ishte i bindur se do të arrihej një marrëveshje me SHBA-në. Në dokumentin përfundimtar ishte parashikuar të theksohet përkushtimi për tregti të lirë dhe heqja dorë nga politika e proteksionizmit. Por ministri gjerman i Fiancave nuk arriti të bindë homologun e tij amerikan Steven Mnuchin për kompromis. E vetmja, ku kanë rënë dakord ishte formulimi se po angazhohen për forcimin e kontributit të tregtisë mes vendeve. Një gjë e ditur më parë - asgjë tjetër.

Në Baden - Baden është qartësuar edhe një gjë: ekipi i ri në Shtëpinë e Bardhë duket se mendon seriozisht kur flet për zbatimin e premtimeve parazgjedhore. Presidenti Donald Trump ka deklaruar gjatë takimit me kancelaren Merkel se gjermanët kanë qenë deri tani negociues më të mirë, ndërsa amerikanët duan ta ndryshojnë këtë. Takimi në Baden - Baden ishte një dëshmi për këtë. As Wolfgang Schäuble nuk ia doli të bindë palën amerikane.

Por samiti nuk mund të konsiderohet i dështuar. Takimet e këtilla nuk kanë ndonjë karakter zyrtar, dokumentet përfundimtare nuk janë të detyrueshme, por vetëm bazë për bashkëpunim. Ndonëse ishte premtuar se do të largohen pengesat për tregti dhe do të përparohet tregtia e lirë, trendi i izolimit është evidentuar kaherë. Që në vitin 2008 janë numëruar nga Organizata Botërore e Tregtisë, mbi 2000 masa kufizimesh tregtare. Kur dihet që vendet e G20 përbëjnë gati 80% të tregtisë botërore, atëherë shihet se sa të mëdha janë pengesat dhe se premtimet nuk po realizohen.

Boehme Henrik Kommentarbild App
Henrik Böhme

Afrika dhe problemet atje

Problemet me marrëveshjen e tregtisë së lirë kanë hedhur nën hije arritje të tjera të G20. Për shembull sa i takon transparencës dhe tatimeve për koncernet e mëdha. Por edhe plani i Schäuble për Afrikën, ku duhet të ketë më shumë siguri për investorët. Kjo është mbështetur nga të gjitha qeveritë. Ndërsa pyetja që shtrohej tërë kohën ishte nëse tani do të ketë një luftë të re tregtare?

Kjo frikë nuk është e pa bazë. Administrata e Trumpit tërë kohën thotë se SHBA importon tepër dhe eksporton pak, ndërsa stilin gjerman të eksportit të madh e quan "rrezik për sigurinë nacionale amerikane". Kritika ndaj Gjermanisë  nuk është e re. Këtë e kanë thënë edhe Bushi dhe Obama, por është dëgjuar edhe në Bruksel. Përgjigja gjermane ka qenë gjithmonë: "A thua duhet të prodhojmë mallra të dobëta, që nuk do t'i blejë askush?"

Shkaqet për optimizëm

Pohimet se tregtia e lirë është kompetencë e Brukselit nuk dëgjohen me dëshirë në Uashington. Nëse futen denimet e para doganore ndaj prodhimeve gjermane, Berlini me siguri që do të përgjigjet. Në Berlin është përmendur edhe mundësia e nxjerjes së çështjes para gjykatave të WTO. Por as në Uashington me siguri që nuk do të vdesin nga frika. WTO i intereson Trumpit vetëm nëse është në interesin amerikan. Qeveria amerikane po shikon mundësitë e denimeve dhe evitimin e masave të WTO.

Por ka dhe një gjë e cila ndoshta do të evitojë luftën tregtare - deklarata e G20 për politikën monetare dhe ate pa manipulime. Kjo jep shkas për optimizëm. Në Baden-Baden është parë se si mund të zhvillohen takimet e tjera. Në Hamburg do të mbahet samiti i G20 në nivelin e krerëve të këtyre vendeve. Ky samit do të jetë shumë domethënës, sepse në rend dite ka edhe shumë pika të tjera kontestuese.