1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Do të qëllojë Trump në rast nevoje ndaj migrantëve?

2 Nëntor 2018

Donald Trump i paralajmëroi migrantët në kufirin me Meksikën ndaj akteve të dhunës kundër ushtarëve amerikanë. Zëdhënësi i Pentagonit megjithatë nuk u shpreh si do të silleshin trupat amerikane në kufi ndaj migrantëve.

https://p.dw.com/p/37YcF
Donald Trump spricht über Einwanderungspolitik
Fotografi: picture-alliance/C. Kleponis

Pak ditë para zgjedhjeve për kongresin amerikan në SHBA, Donald Trump ka ashpërsuar tonin në politikën ndaj migrantëve. Sipas tij, do të duhet të aplikojnë për azil në Shtetet e Bashkuara vetëm ata që arrijnë të hyjnë në vend përmes qendrave zyrtare të regjistrimit. "Ata që vendosin t'i thyejnë ligjet tona dhe hyjnë ilegalisht, nuk do të jenë më në gjendje që me kërkesa të pabaza automatikisht të sigurojnë hyrjen në vendin tonë", tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në të njëjtën kohë ai i paralajmëroi migrantët në kufirin me Meksikën ndaj akteve të dhunës kundër ushtarëve amerikanë dhe nuk përjashtoi forcën e armëve në rast nevoje. "Po qe se ata do të godasin ushtarët tanë me gurë, ushtarët tanë do t'ua kthejnë këtë". Trump u shpreh të enjten, se u ka thënë ushtarëve ta shohin hedhjen e gurëve si armë. Por një zëdhënës i Pentagonit nuk pranoi të bënte një deklaratë, se si do të silleshin trupat amerikane në kufi ndaj migrantëve. Ushtarët e kanë të drejtën për vetëmbrojtje, tha ai.

Dekret për imigrimin

Donald Trump kërkon javën e ardhshme të nxjerrë një dekret presidencial për imigrimin. Por ai nuk i ka bërë të ditura detajet, po ashtu nuk është e qartë, nëse këto plane përkojnë me ligjet amerikane në fuqi.

Mittelamerika Flüchtlings-Caravan Richtung USA - San Pedro Tapantepec
Fotografi: picture alliance/Zuma/M. Juarez Lugo

Aktualisht mijëra vetë kanë marrë rrugën nga Amerika Qendrore përmes Meksikës në drejtim të kufirit amerikan. Ata i ikin dhunës së bandave dhe gjendjes së vështirë ekonomike në vend. Trump theksoi, se këta migrantë nuk janë "azilkërkues legjitimë", sepse nuk e kanë pranuar ofertën e qeverisë meksikane për azil. Demokratët në opozitë e akuzojnë presidentin, se po e ndez frikën ndaj migracionit ilegal për t'i ndihmuar republikanët të fitojnë vota në zgjedhjet për kongresin më 6 Nëntor.

la/(rtrd,dpa, rtr)