1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Doris Pack: Me rezerva Komisioni Evropian do të thotë Po për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në BE

DW4 Prill 2006

Sipas eurodeputetes konservatore gjermane nga ky zgjerim duhet nxjerrë mësimi se nuk duhet caktuar asnjëherë afati për anëtarësimin e një vendi, por ky duhet kushtëzuar nga qenia e tij gati për anëtarësim

https://p.dw.com/p/ArhA
Anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack
Anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris PackFotografi: dpa

Çfarë kompetencash ka Parlamenti Evropian në kuadër të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në BE?

Ne e kemi dhënë ndërkohë miratimin tonë në parim në lidhje me anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë, mbetet vetëm që të dëgjohet edhe një herë rekomandimi ynë. Kjo do të ndodhë në kohën midis dorëzimit të raportit të Komisionit Evropian dhe vendimit të këshillit ministror në qershor. Kam përshtypjen se shumica e parlamentit është për një Po për anëtarësimin në 2007-ën.

A jeni e mendimit se Bashkimit Evropian i duhet një pushim dhe nëse është kështu kur duhet bërë ky?

Bashkimi Evropian nuk ka nevojë për pushim, por duhet të punojë. Ai duhet të përgatitet që të absorbojë zgjerimet e deritanishme. Ne nuk i kemi mprehur instrumentet tona për këtë: nuk e kemi ende marrëveshjen për kushtetutën evropiane, na duhet përmbajtja e saj për të manaxhuar si duhet zgjerimin e tanishëm dhe atë të ardhshëm. Kjo nevojë është paraqitur gjithnjë, për fat të keq këshilli ministror evropian gjithnjë ka dështuar në këtë fushë dhe nuk është përgatitur. Ne nuk duhet të bëjmë pushim, por duhet t'i shfrytëzojmë dy-tri vitet e ardhshme për tu përgatitur që zgjerimi tani e më vonë të jetë i suksesshëm.

Në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Selanik vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektiva evropiane e anëtarësimit. A jeni optimiste se Bashkimi Evropian do të mund ta mbajë këtë premtim?

Është në interesin tonë që ta mbajmë këtë premtim. Në qoftë se nuk kemi qëndrueshmëri në këto vende, atëherë edhe nuk i kemi pranë vetes. Kjo do të thotë se nga vitet nëntëdhjetë kemi një përvojë të hidhur. Ne kemi nevojë për stabilitet atje: në Serbi/Mal të Zi, në Maqedoni, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Shqipëri. Këto vende përbëjnë vrimën e zezë brenda Bashkimit Evropian, ato rrethohen nga Greqia, Italia dhe nga vendet e sapoardhura. Është pra në interesin tonë dhe ne duhet ta mbajmë këtë premtin, sepse përndryshe nuk do të ketë paqe dhe qëndrueshmëri të vërtetë e të vazhdueshme. Ne angazhohemi jashtë mase në këto vende, jemi të pranishëm atje dhe puna jonë atje duhet të kurorëzohet dikur nga suksesi.