Dramës greke po i afrohet fundi
10 Maj 2016Kështu nuk e kishte parë kurrë njeri më parë ministrin grek të Financave, i cili shpesh të krijon përshtypjen e njeriut disi të përmbajtur. Për herë të parë Euklid Tsakalotos u duk pas takimit të Eurogrupit euforik: "Ky ishte një takim i mirë për Greqinë dhe për Evropën." Më 24 maj, ministrat e Financave do t'u japin bekimin reformave dhe masave të deritanishme të kursimit, shqyrtimi i parë mund të mbyllet dhe të paguhen para nga pakoja e tretë e ndihmës.
Përfundimi erdhi shumë më shpejt se sa pritej dhe marrëveshja duket papritur çuditërisht e lehtë dhe pa dhimbje. Lehtësimi në radhët e qeverisë së Alexis Tsipras duket i madh, sepse javët e fundit kishte pasur spekulime për dështim dhe zgjedhje të reja. Por jo: papritur çdo gjë do të jetë në rregull.
Fjala magjike "lehtësim i borxheve"
Shefi i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, theksoi edhe një herë me forcë se nuk do të ketë pra falje të borxheve, por lehtësim të tyre në formën e "debt-managament", një formulë e pranueshme për ministrin Tsakalotos.
Tani do të diskutohet për shtyrjen e afateve dhe për përqindjet e interesit si dhe kushtet e tjera që kërkojnë kreditorët. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde, kishte kërcënuar sërish në fundjavë se në rast se Greqisë nuk i miratohen lehtësime ose falje borxhesh FMN-ja do të largohej si partner nga paketa e tretë e ndihmave. Kompromisi i arritur tregoi edhe një herë se në Bruksel gjërat nuk bëhen në mënyrën dramatike që pretendohet fillimisht në deklararat e politikave dhe në media.
Çdramatizim i gjendjes
Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha se zgjidhja pritet të arrihet gjatë majit, pra në takimin e ministrave të Financave më 24 maj. Aty do të lavdërohen përpjekjet tepër serioze të Greqisë për reforma dhe do të vendoset për pagimin e transhës tjetër të reformave.
Ministri grek Tsakalotos tha se nuk pritet të ketë një vendim tjetër të parlamentit për kursime, por e mundshme është që presidenti grek të miratojë automatikisht një dekret në rast të një krize tjetër buxhetore. Me një zgjidhje të tillë mundi të kapërcehej edhe pretendimi i FMN-së që ishte shprehur edhe më shumë pesimiste lidhur me të ardhmen e Greqisë. Ministrat e Financave të BE-së duan me sa duket të mënjanojnë me çdo kusht një krizë të re përpara referendumit në lidhje me qëndrimin apo daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja që zhvillohet më 23 qeshor.