1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dani Dayan: "Nëse shihni antisemitizëm, veproni menjëherë"

24 Janar 2023

Dani Dayan drejtues i memorialit të Holokaustit Yad Vashem viziton Gjermaninë për herë të parë. Të martën ai hap ekspozitën në Berlin me presidenten e Bundestagut, Bärbel Bas. Për DW ai flet për rritjen e antisemitizmit.

https://p.dw.com/p/4MWfy
Drejtori i memorialit Yad Vashem, Dani Dayan
Drejtori i memorialit Yad Vashem, Dani DayanFotografi: Alex Kolomoisky/Yad Vashem

Drejtuesi i memorialit Yad Vashem, Dani Dayen ka disa ditë që viziton Gjermaninë për herë të parë në jetën e tij. Të martën (24.01.) së bashku me presidenten e Bundestagut, Bärbel Bas ai hap edhe ekspozitën,"16 projekte -70 vjet Yad Vashem" në shenjë përkujtimi ndaj viktimave të nacionalsocializmit. Ekspozita u organizua nga Rrethi i Miqve Yad Vashem me rastin e 70-vjetorit të themelimit të memorialit. Të martën drejtuesi i memoralit Yad Vashem pritet edhe nga kancelari gjerman, Oöaf Scholz dhe presidenti Steinmeier. (E akt.)

Në intervistë për DW, Dani Dayen thekson, se "për fat të keq antisemitizmi po forcohet në të gjithë botën”. Prej gati një viti e gjysmë 67 vjeçari është drejtor i Yad Vashem, memorialit më të rëndësishëm të Holokaustit në botë, i vendosur në Malin e Kujtimit në Jeruzalem. Urrejtja në rritje në mbarë botën ndaj hebrejve, thotë Dayan në një intervistë për Deutsche Wellen, e shtyn atë të paralajmërojë çdo kryetar shteti: "Nëse shihni antisemitizëm, veproni menjëherë. Mos prisni. Nëse prisni, antisemitizmi do të marrë përmasa mbidimensionale, monstruoze. Atëherë do të jetë e pamundur ta ndalësh.”

Me 22 janar Dayan vjen në Gjermani, për herë të parë në jetën e tij. Një rrugë e gjatë - jo vetëm për faktin që Dayan u lind në Argjentinë në 1955 dhe atje u rrit, derisa familja e tij u vendos në 1971 në Izrael. Në Izrael ai u bë më vonë një nga udhëheqësit politikë kryesorë të lëvizjes së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar. E kaluara e tij politike nuk luan më ndonjë rol, thotë Dayan. Që nga emërimi i tij si drejtues i Yad Vashem, Dayan ka vendosur, siç thotë vetë, "një barrierë mbrojtëse" mes përkujtimit dhe politikës. Misioni i tij aktual është për të "i shenjtë”, thotë ai.

Jeruzalem - Drejtori i memorialit Yad Vashem, Dani Dayan në intervistë për DW me gazetaren Rebecca Ritters
Jeruzalem - Drejtori i memorialit Yad Vashem, Dani Dayan në intervistë për DW me gazetaren Rebecca RittersFotografi: Tania Kraemer/DW

Kur ishte "shumë i ri", Dayan u betua të mos shkonte kurrë në Gjermani, në vendin e autorëve. "Atëherë kjo nuk kishte të bënte me urrejtje apo diçka të tillë", thotë ai në intervistën me korrespondenten e DW Rebecca Ritters. "Doja t`u jepja nderimin tim gjashtë milionë hebrejve të vrarë”.

Pengoni fillimet

Në intervistën për DW Dayan vë përballë të tashmen me vitet 1930 dhe sqaron dallimet. Në atë kohë në Gjermani ishte duke u forcuar lëvizja nacionalsocialiste përreth Adolf Hitlerit dhe prej fanatizmit racor të nacionalsocialistëve rezultoi vrasja masive e hebrejve evropianë. Situata sot nuk është e njëjtë si atëherë. "Ne jemi shumë larg prej saj", thotë Dayan. Por ndryshe nga njerëzit 80 vjet më parë sot ne e dimë se çfarë mund të rridhte nga fillimet e rrezikshme, çfarë "mund të ndodhë".

Brezit të asaj kohe ndoshta i dukej e pamundur, që dikush që djeg libra apo djeg sinagoga, të djegë edhe njerëz. Për sot vlen të thuhet: "Ne e dimë se mund të ndodhë, që të digjen njerëz”. Kjo është arsyeja, pse ne kemi kaq shumë përgjegjësi sot, për të luftuar antisemitizmin, racizmin dhe ksenofobinë.

Takimi i parë në Yad Vashem

Me këtë vizitë Dayan i përgjigjet një ftese të kryetares së parlamentit gjerman Bärbel Bas. Në prill 2022 socialdemokratja vizitoi Izraelin. Si përfaqësuese e parë e rangut të lartë nga Gjermania ajo mori pjesë në ceremoninë e përvitshme përkujtimore për Holokaustin në Knesset, parlamentim izraelit, në të cilën lexohen emrat e viktimave. Dhe Bas, e cila vjen nga Duisburgu, vizitoi Yad Vashem. Atje Dani Dayan i dorëzoi asaj një punim studimor për një vajzë hebreje nga vendlindja e saj, Irma Nathan, të cilën nazistët e kishin vrarë në vitin 1942.

Presidentja e Bundestagut Bärbel Bas vizitoi Izraelin (27.04.2022)
Presidentja e Bundestagut Bärbel Bas vizitoi Izraelin (27.04.2022)Fotografi: Maya Alleruzzo/AP Photo/picture alliance

Një ekspozitë në Bundestag

Bas e ftoi pastaj Dayanin, i cili kurrë nuk donte të shkonte në Gjermani, të hapte në Berlin një ekspozitë në prag të përkujtimit të sivjetshëm të viktimave të nacionalsocializmit më 27 janar në Bundestag. Tani Dayan dhe Bas do të flasin më 24 janar në Paul-Löbe-Haus, një nga ndërtesat qendrore të Bundestagut pranë Reichstagut, në hapje të ekspozitës "Gjashtëmbëdhjetë objekte - shtatëdhjetë vjet Yad Vashem". Ekspozita tregon 16 objekte nga koleksioni i Yad Vashem, dëshmi të jetës së përditshme të hebrejve, të cilëve iu desh të largoheshin nga Gjermania apo që u vranë nga nazistët: lodra për fëmijë, një shandan hanukka, një ditar dhe një piano. 16 objekte nga 16 landet e RFGJ, që e bëjnë të pranishme historinë dhe historitë e jetëve të humbura.

Memoriali Yad Vashem, salla e emrave
Memoriali Yad Vashem, salla e emraveFotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Memoriali Yad Vashem, ngritja e të cilit u vendos gati 70 vjet më parë, në gusht të vitit 1953, mban të gjallë kujtesën edhe me objekte të tilla. Ky përkujtim i përjetshëm pasqyrohet në emrin hebraik "Yad Vashem", që është huazuar nga libri i profetit Isaia në Bibël dhe do të thotë "një vend dhe një emër". "Disa nga objektet që kemi këtu, përlotin këdo që është një qenie njerëzore", thotë Dayan në intervistë.

"Gara kundër kohës"

Sot numri i dëshmitarëve të Holokaustit po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Vetëm pak njerëz shumë të moshuar mund t`u tregojnë ende brezave të rinj. Dayan mendon për kohën, kur nuk do të ketë më të mbijetuar: "Kur të vijë ajo kohë, nënçmuesit dhe mohuesit e Holokaustit do të marrin hov. Ata besojnë se atëherë, do të ketë ardhur koha e tyre", thotë ai. Kjo është arsyeja pse kujtimi dhe lufta kundër urrejtjes hebreje është një "garë kundër kohës".

Dayan e sheh përkujtimin e Shoah si një "mjet shumë efektiv në luftën kundër antisemitizmit". Yad Vashem "nuk përpiqet të riedukojë antisemitët. Ne përpiqemi t'u mësojmë njerëzve të ndershëm (...) diçka që të mbajnë qëndrim kundër antisemitizmit."

Shefi i Yad Vashem e shpjegon këtë përmes dy shembujve, dy prominentëve amerikanë, që ranë në sy me deklarata të diskutueshme muajt e fundit. Reperi Kanye West (45), i cili shpesh herë është shprehur ashpër kundër hebrejve duke përdorur klishe të zakonshme, është "fare qartë një antisemit", thotë Dayan. "Nuk do ta ftoja në Yad Vashem, sepse do të ishte humbje kohe”. Nga ana tjetër ai do të ftonte me siguri aktoren Whoopi Goldberg (67), që e kishte vlerësuar Shoah si konflikt midis dy grupeve të bardha, që nuk ka të bëjë me urrejtje racore. "Kjo nuk ka vend", thotë Dayan. "Kjo nuk është antisemite. Është padituri". Goldberg thjesht "nuk e di faktin që nazistët – me të drejtë ose gabim - i shihnin hebrejtë si racë".

Në Berlin janë planifikuar takime të nivelit të lartë

Në udhëtimin e tij të parë në Gjermani Dayan do të kalojë dy ditë në Berlin. Eshtë planifikuar që përveç kryetarit të Bundestagut të takohet edhe me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarin Olaf Scholz, si dhe me ministrin gjerman të Financave Christian Lindner, krerë të të Gjelbërve dhe udhëheqësin e grupit parlamentar të Unionit konservator, Friedrich Merz. Dayan do të vizitojë Memorialin për hebrejtë e vrarë të Evropës në qendër të Berlinit dhe Muzeun Hebre. Ai do të takohet po ashtu me anëtarë të komunitetit hebre në Berlin. Në mbrëmjen pas hapjes së ekspozitës ai do të udhëtojë për në Nju Jork.

Qëllimi është "për të mbajtur gjallë pishtarin e përkujtimit të Holokaustit", shton Dayan, duke shpjeguar kështu edhe punën e tij. Diçka e tillë nuk duhet të përsëritet më kurrë. Kjo ngjarje e tmerrshme e shekullit të 20-të nuk duhet "t'i ndodhë kurrë më", as popullit hebre dhe asnjë populli tjetër.

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C