Dy të vrarë në protestat në Iran
31 Dhjetor 2017Habibollah Çodshashtepur, zëvendësguvernatori i provincës iraniane perëndimore, Lorestan bëri të ditur se të dy demonstruesit kanë marrë pjesë në një „aksion protestash ilegale" në qytetin Dorud. Gjatë përplasjeve kanë ndodhur „për fat të keq" shkëmbime vdekjeprurëse zjarri, tha ai në televizionin iranian. Por forcat e sigurisë nuk kanë qëlluar në masën e njerëzve. Më shumë ka të dhëna për një ndikim të milicëve terroristë të „Shtetit Islamik", tha ai. Një televizion i gardave të revolucionit raportoi, se njerëz me „armë ushtarake dhe gjuetie" ishin përzier me masën dhe kishin qëlluar mes demonstruesve.
Smartphonët- lidhja më e rëndësishme për internetin
Si pasojë e protestave në vend, autoritetet iraniane bllokuan natën e së dielës pjesërisht internetin. Në kryeqytetin Teheran nuk kishte më lidhje telefonike me celularë, raportojnë korrespondentë të agjencisë së lajmeve, AFP. Për miliona iranianë, smartphonët janë një lidhje shumë e rëndësishme me internetin. Qeveria iraniane e sheh veten të konfrontuar me protesta nga e enjtja. Në Universitetin e Teheranit demonstruan të shtunën mjaft studentë kundër qeverisjes. Por ata u dëbuan nga qindra demonstrues proqeveritarë.
„Kërkesa të drejta të popullsisë"
Ministri i Brendshëm iranian, Abdulresa Rahmani Fasli ka bërë fjalë për veprime të vendosure. Kush „prish rendin dhe shkel ligjin duhet të përgjigjet dhe do të paguajë për këtë", tha ai. Shteti do të veprojë kundër „përhapes së dhunës, frikës dhe terrorit." Protestat drejtohen kundër papunësisë së lartë dhe çmimeve të larta, më vonë edhe kundër qeverisë së presidentit, Hasan Rohani. Televizioni shtetëror për herë të parë të shtunën raportoi për protestat sociale dhe bëri fjalë për „kërkesa të drejta të popullsisë."
la/sti/(afp, dpa, rtr)