1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështuan shërbimet sekrete në Afganistan?

20 Gusht 2021

Pas zhvillimeve të fundit në Afganistan, qeveria gjermane ndodhet nën presion. Nga të gjitha anët vijnë kritika, nuk përjashtohet një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar zhvillimet që zunë në befasi Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/3zCnu
Afghanistan | Taliban Kämpfer in Kabul
Fotografi: Rahmat Gul/AP/picture alliance

Paralelisht me aksionin e evakuimit të personelit lokal afgan dhe ndihmësve të tjerë në Kabul, në Berlin ka filluar ballafaqimi politik në lidhje me zhvillimet e fundit që sollën në pushtet talibanët radikalë-islamistë në Afganistan. Të mërkurën u zhvilluan takime të komisionit të brendshëm parlamentar dhe instancës së kontrollit parlamentar të shërbimeve sekrete, PKGr. Akuza e ngritur, është se qeveria gjermane e nënvlerësoi marshimin e shpejtë të talibanëve. Në komisionin PKGr, drejtuesi për sektorin e jashtëm të Shërbimit Informativ Gjerman, BND, Bruno Kahl iu përgjigj pyetjeve të deputëteve në takimin me dyer të mbyllura. Autoritetet përkatëse informuan, se sipas dijenive të shërbimeve informative zhvillimet e fundit në Afganistan nuk ishin të parashikueshme, u shpreh kreu i komisionit, Roderich Kiesewetter.

Më kritik ishte zëvendëskryetari i partisë liberale, dhe anëtar i komisionit parlamentar për kontrollin e shërbimeve sekrete, Stephan Thomae. BND-ja "në lidhje me Afganistanin ka bërë një vlerësim tërësisht të gabuar". Kurse politikani i Majtë, Andre Hahn u shpreh, se qeveria gjermane në javët e fundit "nuk ka pasur plan" për shpëtimin e personelit lokal afgan.

Bruno Kahl, Präsident des Bundesnachrichtendienstes
Bruno KahlFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Komision hetimor parlamentar

Ndërkohë janë shtuar zërat që dështimi në Afganistan të shqyrtohet përmes një komisioni parlamentar hetimor. Zëvendësi i liberalëve, Wolfgang Kubicki pret që pas zgjedhjeve parlamentare në shtator të krijohet një komision i tillë. Të Gjelbrit duan të presin deklaratën qeveritare të kancelares Merkel të mërkurën e ardhshme më 25 gusht. Merkel vetë e quajti aksionin e evakuimit "tejet të komplikuar" dhe një aksion ndërkombëtar të koordinuar, ku Gjermania luan rol të rëndësishëm.

Kritika janë drejtuar edhe ndaj Ministrisë së Punëve të Brendshme. Akuza që ngrihet kundër ministrit, Horst Seehofer është se ministria e tij ka vonuar pranimin e forcave okale. Por një zëdhënëse e ministrisë tha se, procedurat e pranimit të forcave lokale afgane janë bërë në ujdi brenda qeverisë gjermane.

Bundeskanzlerin empfängt Estlands Ministerpräsidentin Kaja Kallas
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/Pool/picture alliance

Ndërkohë qeveria gjermanedo të ofrojë 100 milionë euro ndihmë të shpejtë për të larguarit në Afganistani. Siç njoftoi Ministria e Jashtme, me këto fonde do të mbështeten organizatat ndërkombëtare humanitare, që kujdesen për refugjatët në vendet fqinje të Afganistanit. Dhjetëra mijëra vetë kanë marrë arratinë në vendet fqinje pas ardhjes në pushtet të talibanëve, shumica shkojnë në Pakistan.

 

se/qu/jj (dpa, afp, rtr)