1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E vështirë me dhe pa Rusinë

Bernd Gräßler21 Maj 2015

Para tri takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë kancelarja flet në Bundestag për disa tema të politikës botërore. Opozita është e pakënaqur.

https://p.dw.com/p/1FU0O
Fotografi: Getty Images/AFP/J. Macdougall

"Partneriteti lindor" me disa shtete të Bashkimit Sovjetik për mendimin e kancelares Angela Merkel nuk është instrument i politikës së zgjerimit të BE. Para takimit të nivelit të lartë të BE me gjashtë partnerët Ukrainë, Moldavi, Bjellorusi, Gjeorgji, Azerbaixhan dhe Armeni në Riga, Merkeli refuzoi me këtë kërkesën e ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Pavlo Klimkin, i cili kërkoi një perspektivë konkrete anëtarësimi në BE për Ukrainën. Duke pasur parasysh takimin në Riga, ministri i Jashtëm ukrainas, më parë ambasador në Gjermani, i pati thënë në një intervistë gazetës "Die Welt", se vendi i tij dëshiron "të marrë sigurinë konkrete, se Ukraina është e përshtatshme për një anëtarësi të ardhshme në BE".

Veç kësaj, Ukraina pret heqjen e vizave në vitin 2016. Merkeli tha se Kievi nuk i ka plotësuar parakushtet për këtë. Megjithatë, Komisioni Evropian do të paraqesë në fund të vitit në një raport të ri. Deri atëherë, Ukraina do të ketë mundësinë të bëjë "një hap vendimtar".

Pas takimit të nivelit të lartë në Riga, do të pasojnë takimet e nivelit të lartë dy javë më vonë të G-7-ës në Elmau (Bavari). Pak javë më vonë kancelarja do të udhëtojë në takimin e nivelit të lartë të BE dhe të Bashkësisë së Shteteve të Amerikës Latine dhe të Karibikut (CELAC) në Bruksel.

E drejta e partnerëve lindorë

Kriza e Ukrainës do të jetë një pikë e rëndësishme e takimit në Rigë. Merkeli theksoi në fjalimin e saj para Bundestagut se "partneriteti lindor" nuk drejtohet kundër Rusisë. Megjithatë, është vendimi sovran i shteteve partnere që të afrohen me BE. Askush nuk ka të drejtë t'u bllokojë atyre rrugën, tha Merkeli. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov i pati hedhur poshtë që para fjalës së Merkelit kritika të tilla, por njëkohësisht paralajmëroi që të mos dëmtohen interesat e Rusisë.

Ukraine Kiew Abendstimmung am Maidan
Maidan, Kiev: Barrikadat janë hequr, kërkesat mbeten.Fotografi: DW/F. Hoffmann

Në Bruksel dhe në Berlin është rritur ndërgjegjësimi se në ish-Republikat sovjetike kemi të bëjmë me interesa tepër të ndryshme, të cilat duhen mbajtur parasysh. Për shembull respektohet fakti që Armenia kërkon një lidhje të ngushtë edhe me Rusinë dhe që do të bëhet pjesë e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, tha Merkeli.

Në lidhje me raportin e vështirë me Bjellorusinë, Merkeli dha siguri se ekziston gatishmëria për t'i intensifikuar marrëdhëniet. Por kjo varet nga gjendja e të drejtave të njeriut dhe lirimi i të burgosurve politikë. Në këto çështje, "përparimi është si kërmilli", u bë e ditur në qarqe qeveritare në Berlin. Gjithsesi, me Minskun zhvillohen bisedime për lehtësime për viza, duke i ruajtur njëkohësisht sanksionet kundër përfaqësuesve të qeverisë.

Takimi i G7-ës më tepër se një diplomaci e krizës

Edhe në takimin e G-7-ës në fillim të qershorit në Elmau e hedh hijen e saj kriza e Ukrainës dhe raporti i dëmtuar me Rusinë. Për aq kohë sa Putini nuk deklarohet pro vlerave bazë të së drejtës ndërkombëtare, do të ruhet formati i G-7-ës, e mbrojti Merkeli përjashtimin e Rusisë nga ky rreth. Sepse G-7-a është një bashkësi vlerash, në të cilën bëjnë pjesë edhe e drejta për vetëvendosje dhe integriteti territorial. Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Thomas Oppermann bëri të ditur se mund të kalohet sërish në marrëdhënie të mira, kur të jetë plotësuar Marrëveshja e Paqes e Minskut. Merkeli përmendi si pika të rendit të ditës të takimit të G-7-ës, krahas krizës së Ukrainës Lindjen e Afërme, terrorizmin dhe epideminë e ebolës. Megjithatë, takimi do të jetë më shumë se diplomaci krize. Duhet vepruar me largpamësi me zhvillimin e qendrueshëm, me financimin për zhvillimin dhe me marrëveshjen e planifikuar për klimën, tha Merkeli. Veç kësaj do të flitet për një pjesëmarrje më të mirë të grave në jetën ekonomike, forcimin e sistemeve shëndetësore, tregtinë botërore dhe standarde më të mira sociale dhe ekologjike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, Anton Hofreiter, e kritikoi fjalimin e Merkelit si fjalim thjesht paralajmërimesh. Ajo është një kancelare e rendeve të ditës, i vlerëson veprat me objektiva, përmbajtjet me tituj dhe politikën me PR me publikun. Që në takimin e fundit të G-8-ës në Gjermani në vitin 2007 në Heiligendamm, të cilin e kishte kryesuar po Merkeli, nuk ka ndryshuar asgjë në çështjet vendimtare të së ardhmes, tha Hofreiter.