Edita Tahiri kryeson dialogun Prishtinë - Beograd
24 Shkurt 2011Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë si kryeministër i rizgjedhur vendosi që Edita Tahiri të jetë udhëheqëse e delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun për çështje praktike me Serbinë. Tahiri në qeverinë e re të Kosovës mban postin e zëvëndëskryeministres, ndërsa në qeverinë e kaluar ishte ministre e administratës publike. Në një komunikatë për medie nga kryeministria, thuhet:
“Dialogu me Serbinë si shtete të pavarura dhe sovrane dhe zgjidhja e problemeve praktike është në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit dhe është vlerë dhe standard evropian”.
Kryeministri Thaçi, dialogun me Serbinë e ka vendosur ndër prioritetet e qeverisë së tij, mirëpo, akoma nuk bëhet e ditur data se kur do të fillojë ky dialog. Qeveria në Beograd ka kohë që është shprehur se ata tashmë e kanë gati ekipin negoiciator për të hyrë në bisedime me Prishtinën dhe delegacioni serb do të kryesohet nga Borko Stefanoviq.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi