1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestimet në Egjipt kanë pasoja, intensiteti i protestave bie

Markus Symnak/Angjelina Verbica24 Gusht 2013

Vëllazëria Myslimane vazhdon protestat kundër ushtrisë, por numri i pjesëmarrësve bie. Arrestimi i udhëheqësve dëmton organizimin. Shumë egjiptianë shpresojnë, që së shpejti të kthehet qetësia.

https://p.dw.com/p/19VaH
Fotografi: picture-alliance/AP

Në Egjipt përsëri mijëra përkrahës të presidentit të rrëzuar Mohamed Mursi kanë demonstruar kundër ushtrisë. Në kryeqytetin Kajro pati mitingje proteste para 28 xhamive në "të premten e martirëve" (23.08.2013), siç i quajtën islamikët protestat. Ato qenë kryesisht të qeta. Protestuesit thërrisnin kundër udhëheqjes së ushtrisë duke mbajtur lart pankarta me simbolin e lëvizjes së tyre protestuese: një dorë e zezë me katër gishtërinj të shtrirë mbi një sfond të verdhë. Emblema kujton vrasjen e qindra demonstruesve nga ushtria para xhamisë Rabija al-Adawija dhjetë ditë më parë. Rabija në arabisht do të thotë "i katërti".

Përleshje të dhunshme janë njoftuar nga delta e Nilit. Atje në qytetin Tanta u vra të paktën një pasues i Mursit, kur një turmë sulmoi mitingun. Në disa qytete të tjera të deltës së Nilit të panjohur kanë sulmuar shtëpitë e islamistëve.

"Nuk do të përdorim armët"

Para xhamisë Amr Ibn al-As në jug të pjesës qendrore të qytetit të Kajros dhjetëra pasues të Vëllazërisë Myslimane pas lutjeve të së premtes demonstruan kundër ushtrisë. Vendi, që ata kishin zgjedhur për të protestuar, është historikisht shumë i rëndësishëm. Këtu pushtuesi musliman i Egjiptit, emrin e të cilit ka xhamia, duhet të ketë ngritur çadrën e tij gjatë rrethimit të Kajros.

Ali Riad, formon me katër gishta simbolin e Vëllazërisë Muslimane
Ali Riad, formon me katër gishta simbolin e Vëllazërisë MuslimaneFotografi: DW/M. Symank

Lufta për islamizimin e vendit sipas këndvështrimit të Vëllazërisë Myslimane vazhdon deri sot. "Kjo që po ndodh në Egjipt nuk është konflikt midis ushtrisë dhe një partie politike. Eshtë një luftë në mes ithtarëve të fesë islame dhe atyre, që duan t'i imponojnë Egjiptit një identitet perëndimor", thotë Ali Riad, anëtar i Vëllazërisë Myslimane prej shumë vjetësh.

Riad nga mesi i të dyzetave ka ardhur në miting me gruan dhe dy vajzat. Gazetarëve ai u kërkon ta kontrollojnë, nëse ka armë. Në këtë mënyrë ai do të dëshmojë se synime paqësore: "Ne nuk do të përdorim dhunën, pavarësisht se sa protestues vriten nga ushtria."

Prani e madhe policore në demonstrata

Fillimisht demonstruesit donin të marshonin në drejtim të sheshit Tahrir. Por forcat e sigurisë e rrethuan qendrën e kryeqytetit që në mëngjes.Trafiku u devijua nga sheshi Tahrir, as metro-ja nuk ndalonte më aty. Para shumë ministrive u vendosën tanke. Edhe rreth xhamisë Amr Ibn al-As forcat e sigurisë ngritën barrikada me thasë rëre dhe tela me gjemba. Pas tyre qëndronin në gatishmëri policë me armët gati. Por protesta rreth xhamisë historike, si dhe shumica e demonstratave në këtë ditë mbetën pa shumë pjesëmarrës. Ndryshe nga ç'ishte shpresuar nga vëllezërit muslimanë, protestës nuk iu bashkuan banorë të lagjeve përreth. "Nuk duam gjakderdhje të tjera”, thotë një banor i moshuar. Vendi tani do qetësi. Pastaj mund të bëhet prapë politikë.

Tanket e ushtrisë para sheshit Tahrir në Kajro
Tanket e ushtrisë para sheshit Tahrir në KajroFotografi: picture-alliance/AP

Edhe lëvizja 6 prill, ithtarët e së cilës donin të dilnin në rrugë kundër lirimit të ish diktatorit Husni Mubarak, e anulloi demonstratën në momentin e fundit. Me argumentimin se nuk duhet të konsiderohen të afërt me islamistët.

Baza e vëllazërisë myslimane ka mbetur pa udhëheqje

Shumë egjiptianë dëshirojnë t'i jepet fund ndalimqarkullimit në mbrëmje, i cili pengon shumë jetën publike. Disa vëllezër myslimanë besojnë se ushtria e ka vendosur këtë masë, vetëm për ta kthyer opinionin publik kundër islamikëve. Protestues të tjerë pranojnë, se edhe arrestimet masive të javëve të fundit e kanë dobësuar organizimin e tyre.

Rreth një e treta e kuadrove drejtues ndodhet tani në burg. Në të gjithë vendin qeveria ka arrestuar qindra mbështetës të presidentit të rrëzuar, Mohamed Mursi. Zinxhiri i komandës së organizatës është këputur, baza është vetëm.
Para xhamisë Amr Ibn al-As të premten pasdite islamistët debatojnë, nëse duhet të vihen në lëvizje drejt qendrës së qytetit. Së fundi një shumicë shprehet në favor të shpërbërjes së protestave për shkak të rrezikut të sigurisë. "Vendimi është një provë e mëtejshme e orientimit tonë demokratik", thotë i zhgënjyer Ali Riad, i cili përpiqet të nxjerrë nga situata diçka pozitive. Ai nuk do të heqë dorë. "Zoti është në anën tonë," thotë ai.

I arrestuar, Mohamed Badia, udhëheqësi i Vëllazërisë Muslimane
I arrestuar, Mohamed Badia, udhëheqësi i Vëllazërisë MuslimaneFotografi: Reuters