Egjipt: Dhuna e policisë - Jep dorëheqjen ministri i Kulturës
5 Shkurt 2013Në shenjë proteste kundër sjelljeve brutale të policisë në vendlindjen e tij, ministri egjiptian i Kulturës Mohamed Saber Arab ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Mediet shtetërore njoftojnë se vendimi i marrë prej tij vjen si reagim ndaj keqtrajtimeve që policia i bëri një demonstruesi 50 vjeçar të premten e kaluar. Një video që ka krijuar indinjatë të thellë në gjithë vendin tregon se si një burrë është rrahur nga forcat e sigurisë dhe pastaj i zhveshur është marrë zvarrë nëpër pistën e një transportuesi.
Në qytetin Tanta policët kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë njerëzit që ishin mbledhur në një ceremoni mortore për vdekjen e aktivistit Mohamed al -Guind. Më pas pjesëmarrësit në varrim sulmuan policinë me gurë kurse ajo iu kundërpërgjigj me gazlotsjellës dhe mjete të tjera.
Të paktën 18 vetë u plagosën rëndë bëjnë të ditur autoritetet vendore. Presidenti islamik Mohammed Mursi bëri të ditur se ai ka urdhëruar Prokurorin e Përgjithshëm që të hetojë rastin e vdekjes së al Guindis-it. Ai theksoi se “nuk ka kthim prapa për abuzime me të drejtat e qytetarëve dhe liritë e tyre pas revolucionit të 25 janarit”, duke iu referuar përleshjeve masive popullore, që rrëzuan Mubarak-un, në shkurt 2011.
Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Egjiptit, që të hetojë të gjitha akuzat për abuzim të kryer nga zyrtarët e sigurisë. Vendosja para drejtësisë e autorëve, është mënyra më e mirë për të parandaluar përsëritjen e keqtrajtimeve, tha një zedhënës në Uashington. Kundërshtarët e presidentit egjiptian Muhamed Morsi thonë se vdekjet dhe abuzimet e kryera nga ana e policisë tregojnë se forcat e sigurisë nuk janë reformuar që nga rrëzimi i Hosni Mubarakut. Brenda vetëm një jave në Egjipt gjatë trazirave të motivuara politikisht jetën kanë humbur të paktën 60 vetë.