Egjipt: Kushtetuesja në anën e gjeneralëve
10 Korrik 2012Gjykata Kushtetuese e konsideroi të hënën vendimin e diskutueshëm për shpërndarjen e parlamentit si vendim të "detyrueshëm" duke marrë kështu në mënyrë të qartë anën e gjeneralëve. Presidenti Mursi nxori të dielën një dekret për rimbledhjen e parlamentit, i cili pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese u shpërnda në qershor prej Këshillit Ushtarak, Me këtë veprim Mursi i hyri kursit të konfrontimit me Këshillin Ushtarak.
Gjykata Kushtetuese e Egjiptit qëndron në vendimin e saj të muajit qershor: një pjesë e zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara para rreth një gjysmë viti nuk ishte në përputhje me kushtetutën, dhe për këtë shkak i gjithë parlamenti duhet të shpërndahet. Të gjitha institucionet politike të vendit duhet t'i përmbahen vendimit të Gjykatës, deklaroi një zëdhënës i gjykatës për agjencinë shtetërore të lajmeve Mena.
Në mënyrë të ngjashme e shikojnë këtë çështje edhe shumë egjiptianë dhe kritikojnë për këtë arsye dekretin e presidentit Mohamed Mursi, për rimbledhjen e parlamentit.
"Kjo tregon për mungesë respekti për vendimin e gjykatës. Ne duam të jemi shtet ligjor dhe t'i respektojnë ligjet në jetën e përditshme. Nëse nuk pajtohemi me ligjet, duhet të ndjekim rrugët ligjore për t'u mbrojtur, dhe ligji nuk mund të anashkalohet? Kjo nuk shkon!" - thotë Selfia.
Të tjerë e shohin vendimin e presidentit Mursi si një tregues të qartë se presidenti nuk lejon t'i kufizohen kompetencat e veta - as edhe nga ana e Këshillit të Lartë Ushtarak, i cili në fund të qershorit ia kaloi pushtetin në vend presidentit vetëm deri në një masë të caktuar. "Ky është një vendim i mirë dhe shpreh vullnetin e popullit dhe të revolucionit, ne e kemi zgjedhur Dr. Mursi, për të shprehur vullnetin tonë dhe vullnetin e sheshit Tahriri. Dhe ky vendim është diçka si kthim i fuqisë së presidentit." - thotë Hosami.
Ndërkohë, për të martën në drekë është planifikuar një seancë e parë e Parlamentit. Për Saad el-Husseini, anëtar i Partisë Liri dhe Drejtësi i vëllazërisë myslimane kjo është një gjë e mirë.
"Presidenti e ka zbatuar siç duhet vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kush e kritikon tani, duhet të kritikojë më mirë faktin që marshall Tantawi i Këshillit Ushtarak i mori parlament të zgjedhur pushtetin legjislativ. Tantawi e ka zbatuar vendimin gabim. Me gjithë respektin për këshillin ushtarak, po kritika është me vend." - thotë Saad el-Hussein.
Shumë deputetë kanë vendosur që tani që të mos marrin pjesë në shenjë respekti për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në seancën e parlamentit.
Një situatë shumë e tensionuar kjo në të cilën ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle viziton Kajron. Ndër të tjera, është planifikuar dhe një bisedë me presidentin e ri Mohamed Mursi.
Westerwelle do të takohet gjatë vizitës së tij të shkurtër edhe me homologun e tij egjiptian Mohamed Amr për të biseduar edhe në lidhje me zhvillimet e fundit të krizës në Siri.