1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qindra vetë dënohen me vdekje në Egjipt

Eliana Xhani ( dpa, rtr)28 Prill 2014

Është procesi më i madh masiv në historinë e Egjiptit - tani u shpallën vendimet të reja të gjykatësve. Vendimi është një goditje e rëndë kundër përkrahësve të presidentit të rrrëzuar Mohammed Mursi.

https://p.dw.com/p/1BpVL
Mohamed Badie i denuar me vdekje
Fotografi: AHMED GAMIL/AFP/Getty Images

683 islamistë të dyshuar, sipas të dhënave nga qarqe të drejtësisë në Egjipt, janë dënuar me vdekje. Një gjykatë në qytetin egjiptian Minia i shpalli fajtorë të akuzuarit për pjesëmarrje në protesta të dhunshme dhe vrasje. Ndër të dënuarit është edhe kreu i Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Badie. Njëkohësisht janë anuluar 492 nga 529 dënimet me vdekje të shpallura në mars dhe janë shndërruar në dënim me burgim të përjetshëm, bënë të ditur avokatët. Ndërsa 37 dënime me vdekje janë konfirmuar edhe në instancë të fundit.

Vendimi i drejtësisë egjiptiane drejtohet kundër pjesëmarrësve në demonstrimet e dhunshme të 14 gushtit të vitit të kaluar në Minia. Atë ditë në një aksion të forcave të sigurisë në Kajro kundër përkrahësve të Mursit u vranë rreth 700 demonstrues. Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt u rrëzua nga ushtria në fillim të korrikut 2013.

Ashpërsim i tensioneve

Vendimi për dënimin e 79-vjeçarit Badie, kreu i Vëllazërisë Myslimane, pritet të ashpërsojë tensionet në Egjipt edhe më shumë. Qeveria egjiptiane i ka klasifikuar si terroristë pjesëtarët e Vëllazërisë Myslimane dhe merr masa kundër tyre. Organizata i hedh poshtë akuzat.

Vëllazëria Myslimane është organizata e islamistëve më e madhja dhe me traditën më të gjatë në botën arabe. Në Egjipt drejtuesit e saj politikë, me disa përjashtime, ndodhen të gjithë në burg. Ish presidenti Mursi, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në 2012 si kandidat i vëllezërve myslimanë, duhet të dalë para gjyqit për një sërë akuzash, ndër të tjera tradhëti të lartë, spiunazh, thirrje për vrasjen e demonstruesve, shpifje ndaj drejtësisë, si dhe për një arratisje nga burgu në 2011.